RrGK dhe anëtaret nga Gjakova bashkëpunojnë për fuqizimin e lëvizjes feministe në Kosovë

Më 19 korrik, Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova është takuar me anëtaret e RrGK-së nga Komuna e Gjakovës. 

Në këtë takim u diskutua për punën e deritanishme për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë, si dhe për kërkesat dhe sfidat e grave në këtë komunë. 

Ndër kërkesat/shqetësimet kryesore që u paraqitën nga anëtaret e kësaj komune janë: 

  • Përjashtimi i organizatave për të drejtat e grave nga pakot/fondet emergjente të rimëkëmbjes nga pandemia COVID-19;  
  • Nevojat e anëtareve nga Gjakova për përkrahje institucionale; 
  • Nevoja për lehtësimin nga barra e shpenzimeve operacionale (qiraja, shpenzimet administrative, shpenzimet për shërbime bankare, shpenzimet e rrymës, të ujit, të mbeturinave, e të ngjashme). 

Po ashtu, pjesë e rëndësishme e takimit ishte edhe ndarja e ideve rreth krijimit dhe respektimit të rregullores së anëtarësimit në RrGK. 

Duke kujtuar lidhjen e ngushtë që RrGK ka me anëtaret e saj për fuqizimin e lëvizjes feministe në Kosovë, takime të tilla do të vazhdojnë. Këto takime ndihmojnë efikasitetin e bashkëpunimeve të ardhshme si dhe njohjen nga afër të nevojave të grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën. 

Ky takim u mbështet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), si pjesë e nismës për avancimin e mëtejshëm të të drejtave të grave në Kosovë.  

Ky bashkëpunim do të kontribuojë në zbatimin e  Strategjisë së RrGK-së 2019-2022 dhe kësisoj në përparimin drejt përmbushjes së vizionit të RrGK-së për një Kosovë ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje politike, kujdes shëndetësor dhe një jetë pa dhunë.   

Më shumë për këtë nismë mund të lexoni KËTU