RrGK dhe Strehimoret reagojnë në komentet e KGJK-së e KPK-së për punën e organizatave joqeveritare

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe të gjitha Strehimoret e Kosovës reagojnë ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial të Kosovës (KPK) ndaj reagimit të fundit.

Që nga themelimi i tyre dhe deri tani organizatat joqeveritare dhe strehimoret kanë qenë gjithmonë aty për të gjitha viktimat e dhunës në baza gjinore, edhe në rastet kur policët, prokurorët dhe gjyqtarët kanë shkelur ligjin dhe nuk iu kanë dalë në ndihmë viktimave të dhunës në baza gjinore.

Gjuha e përdorur e KGJK-së dhe KPK-së si “në mëshirën e OJQ-ve”, ul rëndësinë dhe përçmon punën që OJQ-të kanë bërë deri tani qoftë me këshillim, përfaqësim, monitorim dhe strehim të viktimave të dhunës me bazë gjinore.

Viktimat e dhunës në baza gjinore nuk ndjehen të sigurta dhe nuk gjejnë përkrahje e ndihmë në institucionet e Kosovës sepse deri tani institucionet tona kanë dëshmuar se si dështojnë të mbrojnë ato. Rasti i fundit na tregon edhe njëherë dështimin e institucioneve në mbrojtje dhe sjellje të drejtësisë për gratë.

Prandaj, viktimat e dhunës në baza gjinore gjejnë dhe kanë gjithmonë përkrahjen e organizatave joqeveritare.

Strehimoret, po ashtu kane përvojë të gjatë në njohjen dhe evidentimin e neglizhencës institucionale, sidomos nga ana e gjyqtarëve, prokurorëve, dhe policisë, si pasojë e të cilës puna e tyre dhe siguria e tyre rrezikohet përditë!

Prandaj, RrGK thërret në koordinim dhe bashkëpunim ndër-institucional, në sigurimin e trajtimit të drejtë të viktimave të dhunës në baza gjinore. RrGK do të vazhdojë punën në këshillim ligjor, përfaqësim dhe monitorim në gjykata për të gjitha rastet e dhunës në baza gjinore.