RrGK e prezantoi punën e saj drejt Fuqizimit Ekonomik të Grave në punëtorinë e Bankës Botërore

Në vazhdën e iniciativës së Bankës Botërore për ta përmirësuar klimën e punësimit në Kosovë, ky institucion ndërkombëtar e organizoi një punëtori njëditore nën ombrellën e mbështetjeve aktuale që i ofron Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës dhe Agjencisë Publike të Punësimit në lidhje me për hartimin dhe zbatimin e politikave të tyre të punësimit.

Punëtoria synoi diskutimin e praktikave të mira ndërkombëtare dhe vendore për ta rritur pjesëmarrjen e grave në programet aktive të tregut të punës. Lidhur me këtë, Iliriana Banjska nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës (RrGK) u ftua si një hisedar kyç me përvojë të rëndësishme në programimin e fuqizimit ekonomik të ndjeshëm ndaj grave, për të mbajtur një prezantim lidhur me përvojën e RrGK-së në këtë fushë dhe së bashku me përfaqësuesit tjerë t’i hartojë disa rekomandime konkrete për Bankën Botërore për t’i informuar përpjekjet e saj të ardhshme në këtë drejtim.
Banka Botërore i ka përdorur dy raporte kërkimore të RrGK-së (“Arritja e ekuilibrit” dhe “Kush kujdeset?”) për ta informuar kërkimin e saj fillestare për këtë projekt dhe e lavdëroi punën që RrGK e ka bërë deri më tani në fushën e fuqizimit ekonomik të grave.