Avokati i Popullit dhe OJQ-të marshuan sërish për të drejtat e njeriut

Avokati i Popullit së bashku me disa Organizata Joqeveritare (OJQ), përfshirë edhe Rrjetin e Grave të Kosovës, kanë ndërmarrë iniciativë të përbashkët për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

E drejta për një mjedis të shëndetshëm u veçua në shënimin e 10 Dhjetorit- Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.  

Shiu nuk ndaloi qytetarët e mbledhur që të marshojnë nga sheshi “Skënderbeu” deri në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës. 

Prej aty, Jeta Xharra, nga shoqëria civile ka kërkuar më shumë përkushtim institucional dhe masa konkrete në luftimin e ndotjes së ajrit.  

“Sot ne dalim në këtë shesh duke protestuar, duke thënë se veç pse jemi qytetarë të lirë prej armikut nuk do të thotë se jeta nuk është duke na u shkurtuar në baza ditore, sot qytetarët e Kosovës jetojnë 10 vite më pak se qytetari evropian e kjo është një mbytje e ngadalshme që po ja bëjmë vetvetes“, ka thënë Xharra, teksa ka njohur edhe kontributin e aktivistëve në këtë organizim. 

Kurse, Hilmi Jashari, Avokati i Popullit tha se së bashku me shoqërinë civile kanë dalur të protestojnë për të drejtën për mjedis më të shëndetshëm. 

“Tema që është përzgjedhur sot ka të bëjë me ajrin e pastër, shqetësimet e kosovarëve vazhdojnë të jenë lidhur me ndotjen e ajrit si problemin më madhor në vend, problem tjetër janë mungesa e ujit të pijshëm, degradimi i lumenjve dhe numri i kufizuar i impianteve”, u shpreh Jashari.  

Blert Morina, Drejtor Ekzekutiv në Qendrën për Barazi dhe Liri (CEL) ka numëruar arsyet e shumta në mbështetje të këtij marshi. 

“Duke parë ndotjen e ajrit në shkallë alarmuese në vitet e fundit, dhe duke parë që pothuajse asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë nga institucionet me qëllim të përmirësimit të kësaj gjendjeje, madje janë marrë vetëm veprime që përkeqësojnë këtë gjendje, e kemi parë të rëndësishme që marshin e këtij viti ta dedikojmë  për të drejtën për një ambient të pastër”, ka thënë Morina. 

Përmes këtij marshi u dërgua mesazh për angazhim më të shtuar, gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë për mbrojtjen e së drejtës për një mjedis të sigurtë dhe të shëndetshëm. 

Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut shënohet çdo vit më 10 Dhjetor, në kujtim të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). 

Transmetimin e drejtpërdrejt të këtij marshi mund ta ndiqni KËTU. 

LEXO EDHE: Avokati i Popullit dhe OJQ-të marshuan sërish për të drejtat e Njeriut.