RrGK i bashkohet marshit për të kërkuar drejtësi për të pagjeturit

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së bashku me disa organizata të tjera të shoqërisë civile kanë marrë pjesë në ngjarjen e organizuar më 30 gusht nga Nisma e të Rinjëve për të Drejat e Njeriut (YIHR) për të marshuar për ata që mungojnë, në Ditën Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme.

Monumenti i New Born në kryeqyet ishte vendtakimi i shumë qytetarëve për të kërkuar drejtësi dhe të vërtetën për mbi 1,600 të pagjetur, për fatin e të cilëve ende nuk dihet asgjë, as dy dekada pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë. Pjesëmarrësit në duar mbanin pankarta me emrin e një personi të pagjetur.

Gjatë kësaj ngjarjeje u bë ekspozimi i instalacionit te New Born-i, i cili u mbulua me një pëlhurë të zezë si gjest simbolik për të zhdukurit. Nga këtu, marshuesit vazhduan drejt objektit të qeverisë, ku organizatorët e marshit si dhe familjarë të personave të pagjetur mbajtën fjalime.

Bjeshka Guri, nga YiHR tha se “Ky marsh ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe të njejtën kohë përgjegjësisë shoqërore për të kërkuar të vërtetën dhe drejtesinë për të pagjeturit nga të gjitha grupet etnike. Është përgjegjësi e secilit/ës prej nesh ta ngrisim zërin për personat e pagjetur dhe familjarët e tyre.”

Kurse, Arbenita Muhaxheri, familjare e të zhdukurve, gjatë fjalimit kërkoi nga institucionet që çështja e personave të pagjetur të futet në agjendën e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Unë bashkë me familjarët e tjerë të personave të pagjetur dhe shoqëria kosovare, kërkojmë nga shteti i Kosovës që çështjen e personave të pagjetur ta kthejnë në prioritet dhe të punojnë në zbardhjen e fatit të tyre pa asnjë kompromis”, u shpreh ajo.

RrGK përgjatë viteve ka kërkuar përgjegjësi për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

LEXO EDHE: Rivendosja e fotove të të pagjeturve.