RrGK informon organizatat anëtare për kornizën ligjore për diskriminim në baza gjinore në tregun e punës

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) më 10 shkurt  përmes platformës Zoom, ka mbajtur një punëtori me organizatat anëtare mbi kornizën ligjore për diskriminimin me baza gjinore në tregun e punës.

Gjatë këtij sesioni, Koordinatorja e Projektit në RrGK, Adelina Tërshani, i ka informuar organizatat e pranishme në detaje për kornizën ligjore.

Ajo theksoi se gjetjet kryesore të hulumtimit të RrGK-së, “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë” tregojnë se kuadri ligjor nuk është i harmonizuar dhe punëtoret dhe punëtorët që duan t’i adresojnë rastet e tyre nuk dinë saktësisht cilit ligj t’i referohen. Tërshani ka shpjeguar edhe procedurat e parashtrimit të padive.

“Ligji i Punës ende nuk është në harmoni me Direktivën e Bashkimit Evropian (BE) për Balancin Punë-Jetë. Rrjeti i Grave me shumë organizata tjera po mundohet t’i çojë përpara rekomandimet që duhet të përfshihen në Ligjin e Punës e që janë në harmoni me direktivën e BE-së,” tha ajo.

Tutje, Asistentja Ligjore në RrGK, Valmira Rashiti, duke folur për kornizën ligjore mbi diskriminimin në baza gjinore në tregun e punës tha se RrGK po mundohen të gjejë mënyra se si mund të zbatohen mekanizmat e duhur.

“Edhe pse korniza ligjore mund të jetë e ndërlikuar, është me rëndësi të dimë cilët janë mekanizmat referues për të raportuar rastet e diskriminimit, brenda komunitetit ku veprojmë,” theksoi Rashiti.

Kurse, Arjeta Maka nga organizata Gruaja Hyjnore, vuri në pah një rast të diskriminimit gjinor, me ç’rast një grua i ka kërkuar ndihmë meqë gjatë pandemisë kanë dashur ta largojnë prej punës vetëm pse ishte shtatzënë. Maka tha se e ka orientuar atë se ku duhet ta paraqesë rastin e saj.

Të pranishmet kanë diskutuar për format më të mira se si të referohen rastet e diskriminimit mbi baza gjinore.

RrGK vazhdimisht përpiqet për luftimin e diskriminimit me bazë gjinore në punësim, për më shumë informata shfletoni raportin e RrGK-së “Diskriminimi me Bazë Gjinore dhe Punësimi në Kosovë”.

Kjo punëtori u mbështet nga Bashkimi Evropian dhe u bashkë-financua nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Sida).

#DiskriminimiBënDëm

#PunëPaDiskriminim