RrGK inkurajon vajzat dhe gratë të marrin pjesë në konsultimet publike rreth ndarjeve buxhetore të komunave

Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në dëgjimet publike lidhur me planifikimin e buxhetit për vitin 2023 është mjaft e rëndësishme. Për të rritur numrin e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në dëgjime publike si dhe për të dërguar rekomandime në komuna, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka lidhur bashkëpunim me disa organizata anëtare.

Për këtë qëllim më 31 gusht 2022 është mbajtur një takim koordinues me disa nga organizata anëtare që do të përfshihen në këtë iniciative, me ç’rast edhe janë nënshkruar kontratat e bashkëpunimit.

Ligji Nr. 05/L-020 për Barazinë Gjinore e bën buxhetimin e përgjegjshëm gjinor të detyrueshëm për institucionet publike në Kosovë, përfshirë komunat, ministritë dhe organizatat e tjera buxhetore. Sipas këtij ligji, mos zbatimi i praktikave të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor cilësohet si kundërvajtje nga gjykata kompetente si dhe shqiptohen sanksione ndaj këtij mos zbatimi të ligjit.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që planifikimet buxhetore të bëhen duke adresuar nevojat dhe prioritetet e ndryshme që gratë dhe burrat kanë. Prandaj RrGK angazhohet që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor të jetë pjesë e ndarjes buxhetore në cdo komunë.  

RrGK kërkon që të përfshihen zyrtarët për Barazi Gjinore në komunë dhe organizatat e shoqërisë civile të grave në organizimin e konsultimeve publike rreth buxhetit si dhe të angazhohen më shumë gra në të gjitha proceset buxhetore.

Së bashku me kërkesat për integrimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në të gjitha fazat e buxhetit, RrGK kërkon financim më mirë në disa linja të buxhetit komunal për barazinë gjinore, fuqizimin ekonomik të grave, adresimin e dhunës me bazë gjinore, edukimin cilësor të barabartë dhe kujdesin shëndetësor.

Ky aktivitet është mbështetur përmes nismës katër-vjeçare “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë” nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë si dhe përmes Rrjetit të Mbikëqyrësve të Buxheteve Gjinore të mbështetur nga Agjencia Austriake per Zhvillim dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).