RrGK kërkon shkarkimin e Selmanajt, Kumnova bashkohet me këtë thirrje

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) më 23 nëntor i ka dërguar një letër kryeministrit Avdullah Hoti, përmes së cilës ka kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, pas deklaratës së tij lidhur me çështjen e të pagjeturve.  

Në vazhdën e kësaj kërkese, për pesë ditë me radhë (23-27 nëntor), Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova ka qëndruar në heshtje para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, për të kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Selmanaj.  

Në ditën e pestë, Rogova u shoqërua nga Nesrete Kumnova, Kryetare e Organizatës “Thirrjet e Nënave”, e cila tashmë për dy dekada thërret për drejtësi për të pagjeturit. Ajo u bashkëngjit si përkrahje për thirrjen e RrGK-së dhe të qytetarëve që tashmë kanë nënshkruar peticionin online, në thirrjen për shkarkimin e menjëhershëm të Selmanajt. 

“Nëse kjo temë është e konsumuar për Selmanajn, për mua nuk është konsumuar. Ky është mëkati më i madh që Selmanaj ka bërë, prandaj po kërkojmë largimin e tij.”, ka thënë Kumnova.  

Në letrën që RrGK i ka dërguar kryeministrit Hoti për shkarkimin e Selmanajt përmendet që për RrGK-në dhe anëtaret e saj çështja e personave të pagjetur është çështje e të drejtave të njeriut. Për më tepër, ashtu siç tregon hulumtimi i ardhshëm i RrGK-së “Ku është vendi im në tryezë”, çështja e të pagjeturve është ndër çështjet më të rëndësishme që qytetarët e Kosovës duan të adresohet nga qeveria, drejt arritjes së paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.   

Duke qenë se grumbullimet e njerëzve dhe protestat masive nuk janë të lejuara me masat për luftimin e pandemisë COVID-19, çdo ditë e kësaj proteste është mbajtur duke respektuar masat në fuqi.  

KËTU mund të lexoni letrën e plotë që RrGK i ka drejtuar kryeministrit Hoti për shkarkimin e Selmanajt.