RrGK kontribuon me rekomandime për ndryshimin e Kodit Civil

Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) ka qenë pjesë e panelit diskutues me temën “Martesa, bashkëshortët dhe bashkimi civil në Kodin Civil modern të Republikës së Kosovës”, të organizuar sot nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian (BE).

Rogova përmendi çështjet më të rëndësishme, siç janë martesat e hershme, martesa, fejesa dhe bashkëjetesa.

Ndër rekomandimet e RrGK-së janë; riformulimi i nenit 16 për martesat e hershme, riforulimi i neneve që përcaktojnë fejesën, martesën dhe bashkëjetesën, duke eliminuar definicionet të cilat diskriminojnë në bazë të gjinisë.

Sipas analizës së RrGK-së përpilimi i neneve të mësipërme është direkt në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe aktet ligjore të cilat rregullojnë barazinë gjinore dhe mos diskriminimin.

Punën e bërë nga RrGK me këto rekomandime e kanë njohur edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë.

Ardian Mehmeti nga kjo Ministri ka vlerësuar kontributin e RrGK-së përmes këtyre rekomandimeve të cilat ai i ka quajtur konstruktive.

“I kemi marrë rekomandimet e Rrjetit të Grave, të organizatës CEL si dhe të partnerëve, jemi duke i shqyrtuar projektligjet në bazë të statusit“, tha ai.

Drejtori Ekzekutiv në Qendrën për Barazi dhe Liri (CEL) Blert Morina, ka vlerësuar se Kodi Civil është në kundërshtim me Kushtetutën.

Morina ka kërkuar që neni i Kodit Civil për martesën të jetë në përputhje me përkufizimin e kushtetutës për të drejtën e krijimit të familjes, e cila u garantohet të gjithëve në mënyrë të barabartë.

Kurse, Alfons Benjamin Lentze, udhëheqës i projektit të BE-së për Kodin Civil tha se “nëse Kosova ka dëshirë që të ecë përpara, atëherë duhet punuar në zhvillimin e të drejtave të barabarta për të gjithë”.