RrGK kontribuon në diskutimin “Covid-19 në BE dhe Ballkanin Perëndimor; nevojat dhe përgjigjet”

Më 5 nëntor, Fondacioni Kvinna till Kvinna dhe Lobi Evropian i Grave (EWL) mbajtën një diskutim online lidhur me ndikimin dhe përgjigjet ndaj COVID-19 në Bashkimin Evropian (BE) dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor (BP).

Ristin Thomasson, Menaxhere Regjionale për BP, Fondacioni Kvinna till Kvinna, tha se viti 2020 ka qenë i menduar si vit tejet i rëndësishëm për barazinë gjinore në botë, me 20 vjetorin e Rezolutës 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, adaptimin e Strategjisë së BE-së për Barazi Gjinore dhe Planin Gjinor të Veprimit III.

“Megjithatë, fatkeqësisht ky vit do të mbahet në mend më shumë për pandeminë COVID-19, e cila shumicën e vendeve i kapi papritur dhe shkaktoi dëme të mëdha ekonomike. Përderisa pandemia u përhap në çdo shtet, COVID-19 nuk është “i barabartë”, siç disa thoshin; në fakt, pandemia ka kontribuar në përkeqësimin e pabarazive ekzistuese”.

Për të ndarë përvojat e organizatave për të drejtat e grave, në mesin e folësve ishte edhe Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit, Udhëheqëse e Hulumtimit, RrGK. Ajo rekomandoi që BE-ja të sigurohet që ndihma financiare drejtuar BP si mbështetje gjatë pandemisë të marrë parasysh nevojat e ndryshme të grave dhe burrave. Duke përfshirë këtu Planin për Investim për BP.

“Organizatat për të drejtat e grave kanë qenë në linjë të parë të adresimit të padrejtësive gjinore të cilat ekzistojnë në shtetet e BP. Ne kemi parë që edhe para pandemisë COVID-19, organizatat për të drejtat e grave përballeshin me vështirësi për të siguruar mbështetje financiare. “Ku janë paratë për të drejtat e grave”- raport i lansusar së fundi nga organizatat e grave tregon qartë nevojën e këtyre organizatave për mbështetje financiare.

Ky raport, i lansuar në shtator 2020 nga Kvinna till Kvina, RrGK dhe organizata të tjera, ofron informacione në lidhje me trendet financiare të lidhura me barazinë gjinore dhe mbështetjen financiare të organizatave të grave në BP, kështu duke identifikuar nevojat e këtyre organizatave.

Farnsworth vuri theksin te rëndësia e veçantë e analizës gjinore, integrimit të perspektivës gjinore si dhe përdorimit të indikatorëve për të matur përparimin e bërë drejt arritjes së barazisë gjinore, duke kërkuar që BE-ja t’i bëjë të gjitha këto obligative për të gjitha programet që lidhen me Instrumentet e Para-anëtarësimit (IPA) III, me Fqinjësi, Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar si dhe me të gjitha financimet e jashtme të BE-së të lidhura me adresimin e pandemisë.

“Vetëm me këto mund të monitorojmë dhe të shohim si janë duke u realizuar të drejtat e grave”, tha ajo.

Organizatat e grave ofruan bashkëpunimin dhe përvojën e tyre për ta mbështetur BE-në në përpjekjet për t’u siguruar që Komisioni Evropian dhe qeveritë e BP të zbatojnë perspektivë të ndjeshme gjinore, për të adresuar nevojat e ndryshme të burrave dhe të grave gjatë krizës, në këtë mënyrë duke kontribuar në zvogëlimin e pabarazive në regjion.

Folës të tjerë në këtë ngjarje ishin; Maida Omerćehajić, Këshilltare Ligjore, Rights for all, Bosnje dhe Hercegovinë, Danilo Ćurčić, Koordinator i Programit, All Initative, Serbi, dhe Aslihan Tekin, Përfaqësues i BE-së dhe Koordinator i EWL për Turqi-Avrupa and Kadin Lobisi Turkiye Koordinasyonu.  

KËTU mund ta ndiqni transmetimin e këtij diskutimi.