RrGK kujton jetën e aktivistes feministe Cathy Frischmann

Cathy Frischmann e vizitoi Kosovën për herë të parë në vitin 2004 së bashku me vajzën e saj Julie dhe miken e ngushtë Sue Farnsworth, vajza e së cilës (Nicole) punonte në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK).

Cathy bëri një turne nëpër Kosovë, takoi organizatat anëtare të RrGK-së dhe vallëzoi me ne. Ajo na vizitoi sërish në vitin 2019. Cathy e donte Kosovën, gratë e saj, aktivistët dhe punën tonë.

Pas kthimit në vendlindjen e saj të atëhershme, Pocatello, Idaho, SHBA, ajo organizoi një ligjëratë në Universitetin Shtetëror të Idaho-s ku do të fliste si mysafire Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova duke ua ofruar një mundësi unike banorëve të Idaho-s që të mësojnë për Kosovën, historinë dhe betejat e saj, pavarësinë dhe situatën aktuale. Cathy ndërtoi ura unike duke krijuar hapësira për shkëmbimin e njohurive.

Cathy më vonë u transferua në Corvallis, Oregon, ku u angazhua në Altrusa, një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse e fokusuar në shërbimin për komunitetin, veçanërisht për gratë.

Si në jetë, ashtu edhe në punën e saj, ajo ishte shembull për misionin e organizatës, gjithmonë “e sigurt, frymëzuese dhe e kujdesshme”.

Së bashku me Degën Corvallis Altrusa, ajo udhëhoqi përpjekjet e komunitetit lokal për mbledhjen e fondeve për RrGK-së që nga viti 2017, duke grumbulluar mijëra euro për të mbështetur aktivistet e të drejtave të grave në Kosovë.

“Ajo besonte në fuqizimin e grave të reja dhe investoi në RrGK për të fuqizuar më shumë gra në fusha të ndryshme, duke filluar nga legjislacioni, marrëdhëniet me publikun e deri te adresimi i dhunës me bazë gjinore,” tha Rogova.

Nën udhëheqjen e Cathy-t, Altrusa mbështeti katër vajza të reja kosovare të cilat kryenin praktikë me pagesë në RrGK. Ajo e dinte mirë se, edhe pse viti 2021 gratë e reja ishin më të papuna (47%) sesa meshkujt e rinj (35%), dhe vetëm 7%  gra të reja kosovare ishin të punësuara zyrtarisht, pjesërisht për shkak të diskriminimit me bazë gjinore në punësim, siç ka treguar edhe hulumtimi i RrGK-së.

Në të vërtetë, fushat që Altrusa ka mbështetur kanë qenë ato ku gratë janë më pak të përfshira, siç është fusha ligjore.

Cathy e dinte se gratë e reja kishin nevojë për mbështetje shtesë në këto fusha, masa afirmative, për të hyrë në fuqinë punëtore dhe për të kontribuar në një forcë punëtore më të balancuar gjinore në zonat ku gratë historikisht kanë qenë të nënpërfaqësuara.

Mbështetja e Altrusa-s u mundësoi këtyre vajzave të reja të fitojnë përvojë, të hyjnë në fuqinë punëtore dhe të sigurojnë punësim afatgjatë. Ndërkohë, Altrusa mbështeti RrGK-në me burime njerëzore shtesë dhe zgjerimin e lëvizjes feministe në Kosovë.

“Ne do t’i jemi përgjithmonë mirënjohës asaj”, tha Rogova. “Ne do ta kujtojmë qasjen e saj pozitive feministe, solidaritetin dhe lidershipin e saj. Ajo besonte fuqishëm në mbështetjen e lëvizjes së grave përmes përfshirjes së brezave të rinj.”

Cathy e shihte rininë si thelbësore për lëvizjen e grave dhe të ardhmen e saj, prandaj e mbështeti në mënyrë aktive.

Një feministe, mbrojtëse e të drejtave të njeriut, mbështetëse e grave në politikë përmes Lidhjes së Grave Votuese, kuzhiniere, botaniste, kopshtare, alpiniste, biçikliste dhe shumë më tepër…. Cathy e donte jetën dhe jetën e saj ia kushtoi mbrojtjes së të drejtave dhe jetës së të tjerëve.

Dje, më 2 gusht 2023, Cathy ndërroi jetë pas një lufte të egër kundër kancerit. Ajo do t’i mungojë shumë familjes, miqve dhe të gjithë neve në RrGK. Shpirti i saj, vendosmëria këmbëngulëse, fuqizimi i të tjerëve dhe dhurimi i vazhdueshëm mbeten një frymëzim për të gjithë dhe do të vazhdojnë të jenë me ne gjatë punës sonë.