Prioritetet, nevojat dhe interesat e grave dhe burrave shpesh ndryshojnë. Gjeografia (p.sh. zonat rurale, urbane dhe nën-urbane), mosha, përkatësia etnike, statusi i punësimit dhe/ose aftësia në mesin e faktorëve të tjerë mund të ndikojnë në qasjen e grave dhe burrave në shërbime dhe programe shtetërore. Qeveria ka përgjegjësi të hartojë dhe të zbatojë politika që përfitojnë qytetarë të ndryshëm. Dokumentet e buxhetit janë politika publike që duhet t’i shërbejnë nevojave dhe interesave të përfituesve të ndryshëm.
Politikat e bujqësisë dhe zhvillimit rural mund të ndikojnë në mënyrë të ndryshme te gratë dhe burrat. Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor (BPGJ) është një praktikë e përfshirjes së gjinisë në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit, monitorimit dhe vlerësimit të buxheteve. Sipas Ligjit për Barazi Gjinore, BPGJ është obligim ligjor për të gjitha organizatat buxhetore në Republikën e Kosovës. BPGJ e bën procesin e planifikimit dhe ekzekutimit të buxhetit më transparent dhe gjithëpërfshirës, drejt plotësimit të nevojave të qytetarëve të ndryshëm.
Prandaj, që nga gushti i vitit 2016, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) u zotua të zbatojë BPGJ-në, në pajtueshmëri me obligimet ligjore të caktuara në Ligjin për Barazi Gjinore dhe kërkesat e bëra nga Ministria e Financave në qarkoret e fundit buxhetore.
Që atëherë, zyrtarët e MBPZhR-së kanë marrë përkrahje nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) për kryerjen e analizës gjinore të programeve dhe shpenzimeve të mëparshme dhe të tashme.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi, me 10 tetor, RrGK publikoi raporti më të ri, me titull “Buxhetimi për bujqësi dhe zhvillim rural më të mirë”, të gjeturat dhe rekomandimet e të cilit kërkojnë të japin të dhëna për buxhetin e vitit 2018 të MBPZHR-së, si dhe Kornizat Afatmesme të Shpenzimeve të ardhshme (KASH).
Në fjalën e saj hyrëse, Drejtorja Ekzekutive e RrGK, zn. Igballe Rogova u shpreh mirënjohëse për “Austrian Development Agency (ADA) për përkrahjen dhe njëkohësisht për Ministrinë, që na mundëson që së bashku të punojmë për shtetin; së bashku të punojmë për arritjen e barazisë gjinore.” Më tutje ajo shtoi se “do të vazhdojmë të japim përkrahjen tonë teknike për të gjitha institucionet që na ftojnë, sepse në mënyren tonë po ndihmojmë institucionet të zbatojnë ligjin dhe së bashku po ndërtojmë shtetin.”
Më pas, të pranishmëve iu drejtua Kreu i Zyres së ADA në Kosovë, z. Gunther Zimmer i cili u shpres se “përkahja e barazisë gjinore është ndër prioritetet kryesore të Austrian Development Cooperation në Kosovë, dhe aspect kyç drejt arritjes së saj është edhe përkrahja e institucioneve në zbatimin e BPGJ-së. Kjo poashtu kontribuon në zbatimin e Planit II të BE-së për veprimin gjinor, për të cilin Austria si një shtet anëtar është e përkushtuar që ta zbatojë duke I përkrahur institucionet në zbatimin e BPGJ.” Ai shtoi se “përfshirja e një perspektive gjinore në këtë sektor është e rëndësishme për të siguruar që burrat, gratë dhe burrat janë të shërbyer mirë nga programet qeveritare në bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural në Kosovë.”
Duke e konsideruar këtë raport si shumë të rëndësishëm për punën e mëtutjeshme të Ministrisë në zbatimin e BPGJ, Drejtoresha e Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme në MBPZhR, zn. Fëllanza Balaj Kurtishaj falënderoi RrGK-në për përkrahjen e vazhdueshme dhe njëkohëisht ADA-n për mbështetjen financiare të këtij publikimi.
Në vazhdim, për të pranishmit u prezantuan gjetjet kryesore dhe rekomandimet e dala nga ky raport, prezantim i cili u bë nga Bashkë-autorja e raportitn, njëherit edhe Menaxhere e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimeve në RrGK, zn. Nicole Farnsworth.
Përderisa raportin e plotë mund ta lexoni këtu, gjetjet kryesore dhe rekomandimet e dala nga ky raport mund t’i gjeni më poshtë:
- Në shumicën e departamenteve dhe organeve të MBPZhR ka mungesë të të dhënave të ndara sipas gjinisë dhe sistemeve për mbajtjen dhe shfrytëzimin e këtyre të dhënave për të informuar planifikimet buxhetore.
- Asnjë analizë gjinore nuk dihet të jetë zhvilluar gjatë proceseve të hartimit apo analizimit të implementimit të ligjeve ekzistuese, politikave dhe strategjive në lidhje me bujqësinë, zhvillimin rural dhe pylltarinë.
- Në konsultimet publike për projektligjet, rregulloret dhe udhëzimet administrative, gratë përbëjnë vetëm 19% të pjesëmarrësve në 2016 dhe 17% në vitin 2017. Në të gjitha grupet punues, gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara.
- Gratë parashtrojnë më pak ankesa ndaj aplikimeve të refuzuara në Panelin për Shqyrtimin e Ankesave të Agjencisë së Bujqësisë së Kosovës, ndoshta sepse ato aplikojnë dhe përfitojnë më pak nga grantet dhe subvencionet sesa burrat. Megjithatë, gratë, po ashtu, mund të jenë më pak të informuara për të drejtën e tyre për t’u ankuar dhe se si ta bëjnë këtë.
- Gratë janë të nënpërfaqësuara në sektorin e pylltarisë për shkak të normave socio-kulturore në Kosovë. Gratë pranuan 16% të të gjitha licencave për zhvillimin e pylltarisë të lëshuara ndërmjet 2014 dhe 2016. Gratë përfituan më pak nga shërbimet e Agjencisë Pyjore të Kosovës sesa burrat, duke përbërë kështu vetëm 2% të përfituesve në 2015-2017.
- Në vitin 2017, gratë përbënin vetëm 19% të të gjithë përfituesve të subvencioneve dhe transfereve dhe pranuan vetëm 3% të shpenzimeve (më pak se 1.3 milionë euro nga 49 milionë euro). Është raportuar që masat afirmative ekzistuese të pikëve shtesë për aplikueset gra janë keqpërdorur nga të afërmit e tyre burra.
- Më pak studentë sesa studente kanë përfituar nga mundësia e bërjes së praktikës në laboratorët e Institutit Bujqësor të Kosovës, duke përbërë vetëm 17% të të gjithë praktikantëve në 2017. Megjithatë, më shumë burra (55%) se sa gra (45%) kanë qenë të përfshirë në punën shkencore të Institutit përgjatë 2015-2016.
- Me pak përjashtime, më shumë burra sesa gra kanë marrë pjesë në trajnime, punëtori dhe vizita studimore. Një arsye është se gratë janë më të nënpërfaqësuara mes punonjësve dhe inspektorëve (duke përbërë vetëm 10% të të gjithë inspektorëve).
- Në shkurt 2017, 27% e punonjësve të MBPZHR ishin gra dhe 73% ishin burra. Burrat morën 75% të shpenzimeve në vitin 2016. Më shumë burra (89%) se sa gra (11%) kanë punuar vazhdimisht në nivelet më të paguara të vendim-marrjes.
- Gratë zyrtare të MBPZhR-së përbënin 26% të anëtarëve të stafit që shkonin në udhëtime zyrtare në vitin 2016. Si pasojë, vetëm 20% e shpenzimeve zyrtare të udhëtimit ishin shpenzuar për zyrtarët gra në vitin 2016.
Pas prezantimit, të pranishmit kishin mundësinë të diskutojnë mbi të gjeturat dhe rekomandimet e dala nga raporti. Ky raport përfshin objektiva dhe aktivitete specifike për çdo Departament, Agjenci dhe Institut në Ministri, drejt avancimit të barazisë gjinore përmes shpenzimeve të ardhshme. Raporti u publikua me mbështetje të Austrian Development Agency (ADA).