RrGK marshon për 1 Maj: Punëtore e punëtorë të bashkuar kundër shtypjes

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i është bashkuar marshit të 1 majit në Ditën Botërore të Punëtorëve dhe Punëtoreve, duke kërkuar mundësi të barabarta punësimi me pagë që mundëson jetë me dinjitet, sigurim shëndetësor, siguri në punë, si dhe punë pa diskriminim për të gjithë pa dallim, etnie, moshe, orientimi seksual apo identiteti gjinor.

Pjesë e këtij marshi të organizuar nga  Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Myriad dhe Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës, ishin punëtorët, të papunët, si dhe sindikalistët që së bashku marshuan rrugëve të Prishtinës për të kërkuar drejtësi, barazi dhe solidaritet për të gjithë punëtorët.

[RrGK shënon 1 Majin me protestë, kërkon punë pa diskriminim]

Ky marsh erdhi në kohën kur sfidave të grave në tregun e punës iu shtua edhe pandemia COVID-19, duke e bërë mirëqenien e grave edhe më të vështirë për t’u arritur.

“Duam paga të dinjitetshme”, “Shefat po m’vesin për fmi, e jo për CV”, ishin disa nga pankartat që protestueset mbanin në duar për të vënë theksin te diskriminimi dhe padrejtësisë që gratë dhe vajzat hasin në tregun e punës.

RrGK ndër vite përpiqet për fuqizimin ekonomik të grave, duke punuar për përmirësimin e kushteve për pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, si dhe rritjen e përqindjes së grave që kanë qasje në trashëgimi dhe pronësi.

Si pasojë e diskriminimit në baza gjinore, sipas hulumtimeve të RrGK-së, mbi 80% të grave nuk janë pjesë e fuqisë punëtore në Kosovë, por edhe kur janë të punësuara, gratë paguhen më pak se burrat për punë të njejtë, mbajnë pozita më të ulëta, privohen nga e drejta për leje të paguar të lehonisë dhe janë të ekspozuara ndaj ngacmimit seksual në vendin e punës. Ky lloj diskriminimi është i theksuar sidomos për gratë të cilat janë të punësuara në sektorin privat, që në të shumtën e rasteve i përkasin sektorit joformal.

KËTU mund ta plotësoni pyetësorin që ka për qëllim të identifikojë mënyrat më të mira për të adresuar format e diskriminimit që ndodhin në marrëdhëniet e punës.

[RrGK bënë thirrje për përmirësim të të drejtave të punës për gratë]