Për vitin e gjashtë me radhë në Prishtinë u mbajt Parada e Krenarisë nga Komuniteti LGBTI (homoseksualë, lesbike, biseksualë, transgjinorë, interseks), aktivistë dhe përkrahës të të drejtave të këtij komuniteti.
9 qërshori mblodhi në sheshin “Skëndërbeu” të kryeqytetit qindra aktivistë nën sloganin “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE”.
Shemsie Musa-Çerkini, nënë e një personi homoseksual, tha se është krenare për djalin e saj dhe bëri thirrje që shoqërisë kosovare që të “hapë mendjen dhe zemrën”.
“Ka ardhur koha që të kuptojnë se secili e ka të drejtën që të vendosë për veten e vet, të dashurojë kë të dojë, të veshë çka të dojë, të martohet me kë të dojë, të krijojë familje me kë t’ia dojë zemra”, tha ajo.
Parada e sivjetme u mbajt në kohën kur në Kuvendin e Kosovës nuk ka mbështetje për Projektkodin e ri Civil, i cili hap mundësinë e hartimit të një ligji për regjistrimin e bashkësive civile midis personave të gjinisë së njëjtë.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) edhe këtë herë ishte pjesë e kësaj parade të organizuar nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendra për Liri dhe Barazi (CEL).