RrGK ndanë arritjet e përbashkëta në Kuvendin Vjetor të 21-të të Anëtareve 

Kuvendi i 21-të vjetor i anëtarësisë së Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) u mbajt të shtunën, më 25 maj, në prezencën e pjesëmarrësëve nga organizatat anëtare, partnerëve, bashkëpunëtorëve nga institucionet shtetërore, miqve e përkrahësve. 

Në fjalën e saj hyrëse, Kryetarja e Bordit të RrGK, Ariana Qosaj Mustafa, e vlerësoi lart punën e Rjetit gjatë vitit 2023 në zbatimin e strategjisë së saj dhe theksoi rëndësinë e unitetit dhe angazhimit të vazhdueshëm të të gjitha anëtareve si faktor thelbësor të suksesit. Ajo rikujtoi historinë e përkushtimit të palodhur të Rjetit i cili ka arritur të krijojë një lëvizje të fuqishme që tashmë është shembull në rajon dhe po vazhdon të hapë rrugën për brezat e tjerë. 

Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, shprehi falënderimin dhe mirënjohjen për punën dhe angazhimin e Rrjetit përgjatë tri dekadave në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave dhe në avokimin për barazi. Ndër të tjera, znj.Haxhiu, kërkoi përbashkim forcash dhe u zotua për vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim të arritjes së progreseve të reja si shoqëri. 

Pjesë e Kuvendit ishte edhe deputetja Eliza Hoxha e cila në fjalimin e saj përshëndeti   vullnetin dhe këmbnguljen e grave për arritjen e qëllimeve të tyre, duke e shikuar këtë përpjekje si një dritare për të gjitha gratë të cilat duan të ndryshojnë realitetin e tyre. “Nëpërmjet daljes nga kufijtë e përcaktuara nga shoqëria, gratë bëhen pjesë e platformave që fuqizojnë dhe mbështesin – njëra tjetrën” – shtoi ajo. 

Në këtë rrugë drejt barazisë gjinore dhe drejtësisë, mbështetja ndërkombëtare është thelbësore. Sandra Horina, Këshilltare dhe Shefe e zyrës së Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim për Kosovën, e cilësoi RrGK-në si shembull të suksesshëm për fuqizimin e grave në Kosovë dhe rajon. Ajo e falënderoi Rrjetin për punën e pandalshme dhe rritjen e kapaciteteve të anëtareve, duke shprehur mbështetjen e vazhdueshme për projektet e tyre të ardhshme. 

“Rrjeti ka vendosur gurthemelet për barazi dhe ka luajtur një rol kyç në fuqizimin e organizatave të grave” – tha Vlora Tuzi Nushi, Udhëheqëse e Zyrës në Kosovë të UN Women. Ajo shprehu mbështetjen e UN Women për RrGK dhe shtoi se do të vazhdojnë të marrin përgjegjësinë që agjendën për barazi gjinore në Kosovë ta zbatojnë së bashku, edhe ndërkombëtarisht.  

Safete Rogova, Aktorja, Humanistja dhe Aktivistja për të Drejtat e Grave, ngjalli shumë emocione në mesin e të ftuarve gjatë interpretimit të poezisë “Jam me ju”, të cilën ia ka kushtuar motrës dhe të gjitha grave aktiviste, për të shënuar 35 vjetorin e aktivizmit të Shoqatës Motrat Qiriazi. 

Këtë vit çmimi vjetor “Sevdije Ahmeti” iu nda Sakibe Doli Dobrunës, konsulente e strehimores Shtëpia e Sigurtë – Gjakovë. 

“Ky çmim është një dëshmi e punës së palodhur dhe përkushtimit të të gjitha grave që kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për barazi gjinore dhe drejtësi shoqërore.” – ishin fjalët e znj. Sakibe. 

Tutje, stafi i RrGK-së raportoi për rezultatet e punës përgjatë vitit 2023, drejt zbatimit të strategjisë për vitet 2023-2026. Këto ishin disa nga të arriturat që u përmendën: 

  • Më shumë se 70% e strategjisë së RrGK-së për vitin 2023 është zbatuar. 
  • 253 gra kanë marrë pjesë në proceset vendimmarrëse, ndërsa 6,447 që nga viti 2012. 
  • RrGK ka influencuar 10 politika publike, duke arritur totalin e 267 politikave të influencuara, që nga viti 2012. 
  • 10 organizata të ndryshme të grave morrën pjesë aktivisht në proceset e anëtarësimit në BE. 
  • Dokumentet e anëtarësimit në BE reflektojnë dukshëm më mire perspektivën gjinore, duke integruar deri në 75% të komenteve të RrGK. 
  • RrGK kontribuoi në Ligjin për Financat Publike dhe 11 anëtare të RrGK-së morën pjesë në kosultimin për buxhetin e vitit 2023. 
  • 556 individë u frymëzuan për të mbrojtur të drejtën e tyre për shërbime shëndetësore cilësore, në total 2,555rmirë. 
  • 20 gra kane paraqitur ankesa pranë autoriteve përkatëse për shkelje të të drejtave shëndetësore. 
  • Janë përmirësuar 3 ligje dhe politika publike në lidhje me pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, në total 6. 
  • 25 gra dhe burra të ndryshëm janë vetëdijësuar për të drejtat e grave për trashëgimi dhe prone, në total 10,143. 
  • 178 gra që kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore kanë marrë ndihmë ligjore (28 në 2023). 
  • Institucionet kanë përmirësuar performancën e tyre dhe infrastrukturën ligjore për të trajtuar dhunën me bazë gjinore. 
  • 92 përfaqësues institucional janë trajnuar për ta zbatuar kornizën ligjore. 
  • Ngritja e vetëdijes për dhunën me bazë gjinore është përmirësuar. 
  • Janë monitoruar 17 raste të dhunës me bazë gjinore. 
  • 10 shkolla të obzervuara dhe 5 iniciativa avokuese drejt përmirësimit të kurrikulave dhe metodave të mësimdhënies nga perspective gjinore. 
  • 7 iniciativa të përbashkëta me anëtaret dhe organizatat në rajon, 261 që nga viti 2012. 
  • 29 grante për 25 organizata, 281 grante për 153 organizata që nga viti 2012. 
  • 4 ndryshime të politikave që rezultojnë nga nismat avokuese të përfituesve të granteve të FGK-së. 

Kuvendi i 21-të Vjetor i Anëtareve të RrGK-së u financua nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), Fondacioni Kvinna till Kvinna, si dhe Sigrid Rausing Trust. 

Kurse, përgjatë gjithë vitit përpjekjet e RrGK-së për barazi gjinore janë mbështetur edhe nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe UN Women.