Me datë 24 maj, me ftesë të Prof. Dr. Kaltrina Kelmendi gjatë orës së lëndës Psikologjia Gjinore, në Departamentin e Psikologjisë pranë Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) prezantoi programin dhe aktivitetet e RrGK. Studentët dhe studentet e pranishme u njoftuan në detaje për programin dhe strategjinë me të cilën RrGK vepron, me qëllim të arritjes së një shoqërie ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, shëndetësi, dhe bëjnë një jetë pa dhunë.
Pjesë e ligjërimit ishte edhe njoftimi i studentëve mbi situatën aktuale në Kosovë, të ndërlidhur më barazinë gjinore. Të pranishmit u njoftuan për hulumtimet e realizuara dhe iniciativat avokuese të ndërmarra nga RrGK. “Rrjeti është një prej burimeve që na mban të njoftuar mbi gjendjen faktike rreth barazisë gjinore. Hulumtimet e RrGK janë të bëra në mënyrë profesionale, dhe shpesh edhe unë personalisht u jam referuar gjatë studimeve postdiplomike”- tha Prof. Dr. Kaltrina Kelmendi, e cila njëkohësishtë falenderoj RrGK për ndarjen e informatave dhe kontributin që bënë për arritjen e barazisë gjinore.