RrGK proteston në Lipjan: Drejtësi për Vajzat! Mjaft me Neglizhencë Institucionale!

Sot, më 16 korrik 2021, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka ngritur zërin kundër dhunimit dhe keqtrajtimit të shumëfishtë të së miturës 13-vjeçare nga Janjeva, si dhe ka kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi për abuzimin zinxhiror që i është bërë asaj, duke protestuar para Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Lipjan.

Qytetarë dhe aktivistë të shumtë u bashkuan me thirrjen e RrGK-së për këtë protestë, e cila vazhdoi me marsh deri te objekti i Policisë në Lipjan.

“Të monitorohet QPS”, “Dhunuesit në burg” dhe “Vajzat përdhunohen, institucionet heshtin”, ishin disa prej parullave që aktivistët mbanin në duar gjatë protestës.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave në vendin tonë vazhdon të mbetet ndër shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut, mirëpo megjithatë është ndër krimet më pak të ndëshkueshme në vend. Ne nuk do të ndalemi derisa kjo gjë të ndryshojë”, ka thënë ndër të tjerash Valmira Rashiti, Koordinatore e Projektit, RrGK.

Tutje, Rashiti lexoi kërkesat e protestës, të cilat janë:

  • Të mbahet përgjegjës/e menaxheri/ja i/e rastit, i/e cili ka qenë i/e informuar për faktin që e mitura ishte e pastrehë;
  • Të merren të gjitha masat e nevojshme për të rehabilituar fizikisht, psikologjikisht e emocionalisht të miturën viktimë të këtij rsati, si dhe integrimin social të saj;
  • Të rritet monitorimi në nivel komunal ndaj Qendrave për Punë Sociale (QPS), dhe të theksohet roli i Drejtorisë së Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale në këtë aspekt- ashtu siç është e paraparë me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare;
  • Të bëhet trajnimi dhe certifikimi i vazhdueshëm i punonjësve të QPS-së, duke u fokusuar në dhunën me baza gjinore, dhe një qasje te përmirësuar ndaj viktimave, duke shmangur çdo lloj te ri-traumatizimit;
  • Të zbatohen sanksione dhe masa disiplinore ndaj QPS-ve dhe punëtorëve socialë të cilët nuk veprojnë konform Procedurave Standarde të Veprimit (PSV), Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare apo Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje (SKMDHF);
  • Të trajnohen dhe të edukohen punëtorët socialë, për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, dhe përgjegjësitë e tyre në raport me këtë ligj, duke përfshirë këtu zbatimin e ndërhyrjeve dhe marrjen e masave për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi, neglizhimi, keqtrajtimi dhe dhuna;
  • Policia e Kosovës dhe Prokuroria, si dhe të gjitha institucionet përgjegjëse të drejtësisë të sigurojnë ndëshkimin e të gjithë abuzuesve të përfshirë në dhunimin e së miturës.

RrGK do të vazhdojë të monitorojë rastin si dhe të kërkojë llogaridhënie nga institucionet deri në qartësimin e rastit dhe dënimin e fajtorëve.

“Jeta pa dhunë me bazë gjinore” mbetet ndër programet kyçe të RrGK-së. Çdo ditë ne angazhohemi si me aktivizëm po ashtu edhe përmes lobimit në institucione që gratë dhe vajzat të jetojnë një jetë të lirë nga dhuna me bazë gjinore, këtu përfshihet përmirësimi i vetëdijësimit dhe vëmendjes në mesin e zyrtarëve dhe qytetarëve, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore duke përfshirë dhunën në familje, përdhunimin dhe ngacmimin seksual.  

Ky aktivitet u mundësua me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim.

Lexoni KËTU reagimin e RrGK-së lidhur me këtë rast.