RrGK së bashku me anëtaret nga Gjilani vazhdon punën drejt fuqizimit të lëvizjes feministe në Kosovë

Më 26 korrik, Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova është takuar me anëtaret e RrGK-së nga Komuna e Gjilanit.

Në këtë takim u diskutuan kërkesat dhe sfidat e grave në këtë komunë, si dhe krijimi dhe mirëmbajtja e marrëdhënieve ndërmjet organizatave për të drejtat e grave.

RrGK vlerësoi përkrahjen që ofron Komuna e Gjilanit për organizatat e grave në nevojat e tyre tek shpenzimet operacionale dhe shpreson për rritjen e përkrahjes institucionale nga qeverisja lokale edhe nëpër komunat tjera.

Ndër të tjerash, gjatë takimit u diskutua edhe rëndësia e votimit të më shumë grave në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Përkrahja e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje është pjesë e Strategjisë së RrGK-së 2019-2022.

Duke kujtuar lidhjen e ngushtë që RrGK ka me anëtaret e saj për fuqizimin e lëvizjes feministe në Kosovë, takime të tilla do të vazhdojnë. Këto takime ndihmojnë efikasitetin e bashkëpunimeve të ardhshme si dhe njohjen nga afër të nevojave të grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën.

Ky takim u mbështet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), si pjesë e nismës për avancimin e mëtejshëm të të drejtave të grave në Kosovë. 

Ky bashkëpunim do të kontribuojë në zbatimin e Strategjisë së RrGK-së 2019-2022 dhe kësisoj në përparimin drejt përmbushjes së vizionit të RrGK-së për një Kosovë ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje politike, kujdes shëndetësor dhe një jetë pa dhunë.

Më shumë për këtë nismë mund të lexoni KËTU.