Adelina Tërshani, RGK, gjatë qëndrimit të saj në Washington DC ku mori pjesë në Takimin Vjetor të Bankës Botërore (BB), zhvilloi takime me akterët kyç të BB-së në Kosovë. Ajo u takua me Udhëheqësin e Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë Veriore, Massimiliano Paolucci, si dhe Këshilltarin e Drejtorit Ekzekutiv të Grupit të BB-së, Hajdar Korbi.
Gjatë takimit, Tërshani prezantoi rekomandimet e RrGK-së për Bankën Botërore me fokus nevojën që Banka të konsultojë në vazhdimësi organizatat e të drejtave të grave në Kosovë para dhe gjatë zhvillimi të aktiviteteve të tyre, me qëllim të përmirësimit të ndikimit të këtyre intervenimeve tek jetët e grave dhe vajzave në Kosovë.
Ndërkaq, Paolucci shprehu gatitshmërinë për një bashkëpunim më të gjerë me organizatat aktive për të drejtat e grave në Kosovë veçanërisht me rasin e zhvillimit të iniciativave që prekin direkt gratë dhe vajzat në Kosovë. Ai theksoi se nevoja për konsultim me organizata do të shtohet veçanërisht gjatë konsultimeve mbi hartimin e Strategjisë mbi barazinë gjinore në kuadër të Bankës Botërore vitin e ardhshëm. “Dera e Bankës Botërore në Kosovë është e hapur për oganizatat për të drejtat e grave”, përfundoi ai.
Tërshani përfaqësoi RrGK-në edhe në shumë panele të tjera diskutimi në kuadër të agjendës së shoqërisë civile gjatë Takimit Vjetor të Bankës Botërore, ku edhe publikisht ngriti çështjen e nevojës për konsultim të BB-së me organizatat e shoqërisë civile.
Takimet Vjetore të Bordeve të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore mbledh së bashku bankierë qendrorë, ministrat e financave dhe zhvillimit, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështjet me interes global, duke përfshirë perspektivën ekonomike botërore, çrrënjosjen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e ndihmës. Gjithashtu janë paraqitur seminare, informime rajonale, konferenca shtypi dhe shumë ngjarje të tjera të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe sistemin financiar botëror. Ngjarja e këtij viti u zhvillua në Uashington, DC, në 10-16 tetor 2022.