Fatime Limaj nga Banja e Malishevës, mposhti kancerin, por beteja e gjatë la shenjat e veta. Ajo që filloi si trajtim për tumor në stomak çoi në komplikime që i morën njërën këmbë. Tani ajo nuk ka kancer, por nuk ka mundësi të gjejë punë për shkak të aftësisë së saj të kufizuar. Edhe pse ligji në Kosovë garanton mbrojtje dhe përfitime për personat me aftësi të kufizuara, qeveria i ka kthyer kurrizin Fatimës.
Fatimja, e cila ka tre fëmijë në shtëpi, bashkëshortin e ka të papunësuar dhe nuk ka të ardhura, filloi të punojë në tokën e familjes. Ajo nuk mund të kërkonte kredi, por as nuk përmbushte kriteret për asnjë grant nga qeveria apo donatorët ndërkombëtarë. Toka nuk ishte në emrin e saj dhe ajo nuk kishte para që ta regjistronte si pronë të sajën.
Ajo kishte ndëgjuar se një ekipë nga disa organizata vendore kishin filluar të ndihmonin çiftet e martuara që të regjistronin pa pagesë pronën e përbashkët, dhe u mbulonin atyre të gjitha shpenzimet administrative. Fatimja foli me bashkëshortin për këtë dhe të dy vendosën të aplikonin. Me mbështetjen e Arta Shushkës, koordinatore e shoqatës “Dera e Hapur”, Fatimja e regjistroi shtëpinë si pronë të përbashkët bashkëshortore dhe tokën e saj si pronë personale.
Tani Fatimja dëshiron të aplikojë për grante për të dyfishuar tokën e saj bujqësore. “Mendoj se do të marr grante,” shprehet ajo, “sepse tani kam 20 pikë më shumë sipas aplikacionit të ministrisë, thjesht sepse kam tokën time.” Ajo po mendon edhe të përdorë sistem të enërgjisë solare për të rritur drithëra gjatë gjithë vitit dhe të punësojë më shumë gra në nevojë.
“Tani për tani, mund të punësoj vetëm pesë gra gjatë verës. Zakonisht përpiqem të gjej gra që janë shtyllat e familjes dhe i ndihmoj ato. Qëllimi im është që në të ardhmen të punësoj më shumë punëtore.”
Prindërit e një vajze dhe dy djemve, Fatimja dhe bashkëshorti i saj, dëshirojnë që fëmijët e tyre të trashëgojnë pjesë të barabarta nga pasuria.
“Unë kam tre fëmijë. Nuk dua t’ia di nëse janë vajza apo djem. Ata janë gjithsesi fëmijët e mi. Dhe gjinia e tyre nuk përcakton për mua vlerën që kanë. Ata janë të barabartë në sytë e mi.”
Deri më tani, Rrjeti i Grave të Kosovës, me mbështetjen e PPSE Swiss Contact,ka ndihmuar 150 gra që të nisin procedurat për regjistrimin apo trashëgimin e pasurive të paluajtshme.