RrOGRAEK mban trajnim për dhunën në bazë gjinore

Organizata anëtare e RrGK-së, Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RrOGRAEK) ka mbajtur trajnim mbi dhunën në baza gjinore, me theks tek dhuna në familje dhe martesat e hershme.

Qëllimi i këtij aktiviteti është ngritja e kapaciteteve të aktivistëve/vullnetarëve të RrOGRAEK-ut, në fushën e dhunës në baza gjinore, në përputhje me legjislacionin relevant të aplikueshëm në Kosovë dhe Konventën e Stambollit.

Në trajnim ishin 16 pjesëmarrës, 10 gra dhe 6 burra, nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptase, nga komunat e Fushë Kosovës, Mitrovicës dhe Prizrenit.

Trajnerja Donjeta Morina tha se ofrimi i informatave se si të identifikohen format e dhunës në baza gjinore e lehtëson shpërndarjen e informatës për raportim.

“Sa i përket raportimit të dhunës në bazë gjinore nuk ka informacione të mjaftueshme tek qytetarët. Në përgjithësi dhuna në bazë gjinore nuk raportohet. Ajo çka vazhdon të mbetet shqetësuese është fajësimi i viktimës ndaj dhunës në bazë gjinore nga institucionet por edhe vetë shoqëria”, tha ajo.

Xhulieta Devolli menaxhere e projektit duke folur rreth trajnimit të mbajtur, tha se kjo është hera e katërt, që mbahet trajnim me 15 persona të cilët tashmë janë trajnuar për dhunën në bazë gjinore, si pjesë e këtij granti gjatë muajve të kaluar.

“Sot kemi përfshirë format, institucionet relevante që merren me trajtimin e formave të ndryshme të dhunës në baza gjinore, mënyrën si me e raportu rastin. Pra, jemi munduar që t’ju shpjegojmë më specifikisht dhe t’u japim informata në përgjithësi lidhur me dhunën në bazë gjinore. Ajo çka është më e rëndësishmja, pjesëmarrësit e trajnimit të cilët janë aktivistë të RrOGRAEK-ut, informatat e marra i shpërndajnë në komunitetet e tyre në forma të ndryshme si dhe u ndihmojnë viktimave të formave të ndryshme të dhunës në baza gjinore, sidomos viktimave të dhunës në familje dhe martesat e hershme/ detyrueshme që t’i raportojnë rastet”, tha Devolli.

Ajo tutje shtoi se janë vazhdimisht në terren dhe informatat sa i përket dhunës në baza gjinore nuk arrijnë në lagje më të izoluara, sidomos lagjet e banuara me romë, dhe këto gra ballafaqohen me nivel të ulët të arsimimit e barriera nga më të ndryshmet, që i mbajnë larg nga informatat qoftë për të dalë nga format e ndryshme të dhunës që ato më pas pasojnë, duke mos pasur mundësi t’i realizojnë të drejtat e tyre.

Gynesh Veshall, aktiviste e shoqërisë civile në Prizren, pjesëmarrëse në trajnim tha se është shumë i rëndësishëm çdo takim, duke e pasur parasysh që janë aktivë dhe e përçojnë mesazhin te komuniteti.

“Komunitetet rome, ashkali, dhe egjiptase janë të informuar për të drejtat e tyre, dhe se dhuna duhet të raportohet, sidomos në qytetin e Prizrenit pasi unë punoj dhe veproj atje. Do të thotë nëse krahasohet me vitet më përpara ka pasur shumë pak informacion dhe me anë të aktiviteteve ne kemi arritur që t’i vetëdijësojmë, por edhe vetë të vetëdijësohemi për raportimin për dhunë në bazë gjinore. Ajo çka dua ta potencoj është se dhuna ndaj grave është faktor global, nuk është vetëm tek komunitetet dhe nuk duhet të etiketohemi. Të gjitha gratë i nënshtrohen dhunës seksuale, psikologjike dhe fizike”, tha ajo.

Zonja Veshall tutje shtoi se tash e një kohë teatri rom në Prizren “Nexhip Menekshe” përmes shfaqjeve, po vetëdijësojnë audiencën dhe kështu po përçojnë mesazhin për martesat e hershme, dhunën dhe vetëdijësimi po bëhet përmes skenës dhe teatrit me një audiencë të gjerë.

Ky aktivitet është mbajtur falë grantit të përfituar në raundin e 18-të të Fondit të Grave të Kosovës të RrGK-së për mbështetje organizative, financuar nga Fondacioni Sigrid Rausing.