Rrugëtimi për në shtëpi

Nga Shqipe Malushi
     Qindra gra nga organizatat anëtare të RrGGK dhe përfitueset e tyre i’u bashkuan punëtorive dhe seancave individuale mbi “Mirëqenien e Grave“ në fshatra dhe qytete në mbarë Kosovën nga 4 qershori deri me 1 shtator 2014.  Punëtoritë kanë ndihmuar gratë të refelektojnë në të kaluarën dhe të gjejnë mënyra të reja për të ecur përpara. Ky udhëtim te gratë ishte i dhimbshëm. Kujtimet e luftës ishin ende shumë të freskëta në mendjet e tyre dhe askush nuk i kishte ndihmuar ato të shërohen apo t’iu japin mjetet e nevojshme që të lirojnë dhimbjet dhe ëndërrat e këqija në mënyrë që të gjejnë falje. Në qytetin e Gjakovës, gratë mbajtën fotografitë e vajzave dhe djemve të tyre të zhdukur që nga lufta. Ato qajtën me orë të tëra për padrejtësinë e bërë, pafuqinë dhe mungesën e mbështetjes. Pas orëve të zisë, lirimi erdhi duke i kujtuar viktimat në dritën e të gjallëve: duke vënë në pah vlerat dhe cilësitë e tyre, e jo humbjen e tyre; duke u fokusuar në kontributin e tyre, e jo në zhdukjen e tyre.
“Gjatë këtyre 15 vjetëve unë kurrë nuk jam ndjerë me lehtë se sot,” tha një nënë. “Ju jeni me vonesë, ne kemi pasur nevojë për këtë 15 vite më parë.”
Në një fshat tjetër ku shumë gra ishin përdhunuar, e quanin veten “gratë pa fytyrë”, pa shpresë. Kishte shumë histori që ta copëtonin zemrën. Një nënë u përdhunua nga nëntë ushtarë. Ajo u betua të luftoj këtë akt të ligë për pjesën tjetër të jetës së saj për të mbrojtur vajzat e saj. Ajo inkurajoi gratë e tjera që të ngrihen dhe të jenë krenare që kanë mbijetuar. Ajo i’u kërkoi që të mos e bartin barrën e turpit, sepse ato nuk ishin fajtore për këtë akt. Së bashku kemi arritur të ndërtojmë një urë shprese, një rrjet mbeshtetës në anë të menduarit pozitiv dhe një vizion të ri për jetën. Në Prizren shumë të rinj me aftësi të kufizuara i’u bashkuan punëtorisë, duke gjetur shpresë për të ardhmen e tyre. Një vajzë e verbër, e para në Kosovë që studjoi për diplomën master në drejtësi, shprehu dëshirën për të studjuar psikologjinë në Turqi. Ne e lidhëm atë me një universitet turk që shprehu dëshirën për t’i ofruar asaj një bursë.
     Në fshatin Krushë e Vogël, ku pothuajse të gjithë burrat u vranë, gjysma e fshatit kishte lëvizur përpara. Nga një makinë qepëse e vetme që i’a kishin dhuaruar në vitin 2003, një grua kishte tani 10 makina dhe kishte punësuar shumë gra si rrobaqepëse të suksesshme. Anëtaret e RrGGK i konsideruan puntoritë si një rifreskim. Ato më dhanë një mundësi për t’u lidhur me dhimbjet e njerëzve të tjerë dhe së bashku ne e kthyem dhimbjen në shpresë. Ne krijuam një platformë pozitiviteti ku gratë mund të identifikojnë dhimbjen e tyre, t’i përkushtohen shërimit dhe të lirojnë dhimbjen e tyre. Puntoritë ndihmuan gratë të lidhen në mes vete, të falin dhe të lënë të kaluarën mbrapa. Mësuan mënyra të reja të mendimit kritik dhe të komunikimit. Shumë gra rikthyen vetëbesimin e tyre në krijimin e një jete më të mirë. Për mua, ky rrugëtim i kthimit në shtëpi ishte shumë i thellë. Isha në gjendje të lidhem me vendim tim; popullin tim; ta kujtoj trashëgiminë time; të zbuloj disa nga mangësitë e mija, që unë gjithashtu duhet t’i lë prapa.
    Dashuria është në çdo zemër të popullit tim që kanë nevojë për shërim në mënyrë që të ecin përpara dhe t’i ringjallin të gjitha vlerat e tyre, të cilat ja u hoqën. Unë jam e vendosur të ngris zërin tim dhe të ju kërkoj të gjithë profesionistëve, artistëve dhe veprimtarëve humanitarë t’i ndihmojnë popullit tim të shërohet dhe të ndërtojë një vizion të ri të shpresës.
 

E lindur në Pejë, Kosovë, Shqipe Malushi ka jetuar në SHBA që nga viti 1980. Një aktiviste për të drejtat e grave, ajo ka punuar në New York dhe ka udhëtuar nëpër gjithë botën, duke ofruar trajnime, shërim dhe fuqizim të grave dhe burrave. Këtë verë, pas shumë vitesh, ajo u rikthye në shtëpi në Kosovë.