SDK avokon për themelimin e komitetit konsultativ për çështje gjinore në Podujevë

Arritja e barazisë gjinore në nivel komunal mund të bëhet duke identifikuar pabarazitë në bazë gjinore në arsim, kujdes shëndetësor, punësim dhe pjesëmarrje politike. Për t’i adresuar këto çështje është e nevojshme që të ketë një mekanizëm në nivel komunal.

Kjo edhe ishte arsyeja pse organizata përfituese e raundit të 17 të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), Sundimi i Demokracisë në Kosovë (SDK), përmes një tryeze me zyrtarë komunalë, të qendrës për punë sociale dhe shoqërinë civile avokoi për themelimin e Komitetit Konsultativ për çështje gjinore në komunën e Podujevës.

Qëllimi ishte që përmes diskutimit dhe angazhimit të shoqërisë civile të ndikohet në fuqizimin e mekanizmave gjinorë, për të rritur përgjegjësinë institucionale në politikat gjinore në nivel lokal. Në tryezë u tha se një komitet i tillë do të ofronte këshilla për organin legjislativ por edhe për vetë ekzekutivin e komunës në evitimin e defekteve potenciale dhe ofrimin e zgjidhjeve adekuate lidhur me çështjet gjinore.

Komiteti do të ofronte një platformë për vajzat dhe gratë për të ngritur zërin për problemet dhe sfidat si dhe për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse. Gjithashtu komiteti mund të avokojë për politikat dhe programet që promovojnë barazinë gjinore në komunë; ata mund të punojnë me zyrtarë qeveritarë për të siguruar se çështjet gjinore të përfshihen në agjendën komunale.

Në tryezë u arrit pajtueshmëri që veprimet avokuese për themelimin e këtij komiteti të jenë të përbashkëta dhe të vazhdueshme.

Naime Podvorica, zyrtare për barazi gjinore në Komunën e Podujevës mirëpret themelimin e një komiteti të tillë.

“Ne e mbështesim nismën për themelimin e Komitetit Konsultativ për Barazi Gjinore. Konsiderojmë se aktivizimi i këtij komiteti me njohës të mirë në çështjen e barazisë gjinore, ndihmon shumë edhe zyrën tonë, por edhe vendimmarrësit për të pasur përparim në rritjen e pjesëmarrjes në jetën publike të grave në komunën tonë,” tha ajo.

SDK ka realizuar këtë aktivitet përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.