Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes ofron Ligjerata për Edukatë Seksuale

Shoqata për Edukimin dhe Përkujdesjen e Familjes (SHEPF) organizoi ligjerata për sëmundjet seksuale të transmetueshme dhe abuzimit të drogës për nxënësit e shkollave fillore në Gjakovë. Në mungesë të kurrikulave zyrtare në shkollat e Kosovës për këto çështje, punëtoritë ofruan informata të rëndësishme.
Në përpjekje për të bërë të mësuarit argëtim, SHEPF organizoi më 15 mars një kuiz në shkollën fillore Fehmi Agani me nxënës nga shkollat fillore Mazllom Këpuska dhe Fehmi Agani.  Ata garuan me entuziazëm, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me HIV / AIDS dhe drogën.          Të dyja palët konkurruese iu përgjigjën të gjitha pyetjeve me sukses dhe saktësisht. Prandaj, në fund të gjithë dolën fitues. Pas kuizit, nxënësit dhe mësuesit ndanë edhe më shumë informata.“Është e dhimbshme kur ne kemi mundësinë për të mbrojtur veten nga këto sëmundje, por nuk e bëjmë këtë, sepse ne nuk kemi informata për këto sëmundje,” tha nxënësja Meri Komoni. “Së fundmi, një jetë mund të humbet për shkak të kësaj.”
Me 21 mars, SHEPF organizoi një tryezë të rrumbullakët me zyrtarë nga Departamenti komunal i Arsimit, drejtor të shkollave dhe përfaqësues të Qendrës së Mjekësisë Familjare. SHEPF hartoi një strategji ku rekomandon përfshirjen e edukimit seksual si lëndë në kurrikulën shkollore në Gjakovë
“Synimi ynë i ardhshëm do të jenë nënat,” tha Bahrije Deva Vehapi e cila drejton iniciativën. “Ne do t’i angazhojmë nënat dhe fëmijët që t’i tejkalojnë barrierat e komunikimit, në mënyrë që ata të ndjehen të lirë për të folur për këto çështje.”
Duke marrë parasysh që vajzat të cilat morën pjesë në Iniciativën e RrGGK për Fuqizimin e Vajzave kanë identifikuar komunikimin në mes të prindërve dhe të rinjve si sfidë kyçe, iniciativa e SHEPF-së po ndihmon për të adresuar shqetësimet e rinisë. SHEPF ka marrë përkrahje nga Fondi i Grave të Kosovës, i mbështetur nga Kvinna till Kvinna (KtK)dhe Austrian Development Agency (ADA).