Foto: KFOR
Në prag të përvjetorit të 20-të të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, më 7 tetor, KFOR organizoi një konferencë ku u diskutua për zbatimin e kësaj rezolute në Kosovës me fokus në sigurinë, përfshirjen dhe partneritetin.
Folësit kyçë, që kanë qenë të përfshirë nga afër në zbatimin e Rezolutës 1325 në Kosovë, ndanë punën dhe përvojën e tyre në dy dekadat e fundit.
Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), në fjalën e saj, ndau punën e RrGK-së dhe të aktivisteve të tjera të të drejtave të grave që kanë luftuar vazhdimisht për barazi gjinore, paqe dhe siguri.
“Siguria fillon në shtëpi; prandaj, ne duhet të ofrojmë siguri për gratë në shtëpi. Nuk ka paqe pa drejtësi!”, tha Rogova, ndërsa shtoi se nuk pati asnjëherë drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, viktimat e masakrave, e as për familjet e personave të zhdukur.
Rogova theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet organizatave të shoqërisë civile për të drejtat e grave, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë rajonal. Ajo gjithashtu vlerësoi mbështetjen e donatorëve dhënë këtyre organizatave përgjatë viteve.
Ish-presidentja e Kosovë, Atifete Jahjaga, ndau përvojën e saj si grua e parë presidente në vend dhe punën drejt fuqizimit të grave dhe rinisë përmes Fondacionit Jahjaga.
“Përdora autoritetin që kam ndërtuar gjatë gjithë karrierës sime në shërbimin publik, veçanërisht në zyrën e Presidentit”, tha ajo.
Më tej, gruaja e parë Kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, riafirmoi rëndësinë e koordinimit të tillë në mes të institucioneve dhe organizatave të grave.
“Gjithçka që është arritur është rezultat i një modeli bashkëpunimi, që përfshinë Parlamentin, Agjencinë për Barazi Gjinore, Organizatat Ndërkombëtare, Organizatat e Shoqërisë Civile dhe mediat”, shtoi Osmani.
Ajo theksoi se në përputhje me Rezolutën 1325, gratë duhet të përfshihen drejtpërdrejt dhe plotësisht në dialogun me Serbinë, si dhe të konsultohen vazhdimisht gjatë këtij procesi.
Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e e Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGj), hartimin e politikave publike nga ABGj e sheh si një nga arritjet kryesore.
“Vendimi i rëndësishëm i Planit të parë të Veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325 (2013-2015), ishte ndryshimi i ligjit për viktimat civile dhe veteranët. Pikërisht me këtë ndryshim, të mbijetuarit e dhunës seksuale u bënë pjesë e ligjit”, tha Gusia.
Folës të tjerë në këtë konferencë ishin Clare Hutchinson, Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë; Gjeneral-major Michele RISI, komandant i KFOR-it; Vlora-Tuzi Nushi, Shefe e Zyrës së UN Ëomen në Kosovë; Chiara Tagliani, Këshilltare për Çështje Gjinore, EULEX; Javiera Thais Santa Cruz, Këshilltare për Çështje Gjinore, Misioni i KB në Kosovë; Annette M. FATH-LIHIC, Këshilltare Politike e Përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, Safete Gacaferri, Drejtore Ekzekutive e OJQ-së Jeta; Adriana HODZIC, Zyrtare Kryesore Ekzekutive, Komuna e Mitrovicës Veriore; Gjeneral brigade Irfete SPAHIU, FSK;
Rezoluta 1325 u miratua unanimisht më 31 tetor 2000 nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si moment i rëndësishëm në njohjen e rolit unik të grave në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Lexo gjithashtu:1325 Fakte dhe fabula