Për herë të parë në Kosovë, u diskutua për ekonominë feministe në një konferencë të rëndësishme mbi Gjininë dhe Ekonominë në Kolegjin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë. Konferenca ishte një bashkëorganizim në mes të UBT-së, Asociacioni Austriak në Kosovë, Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dhe Qendrës për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Universitetin e Prishtinës. RrGGK organizoi njërin prej paneleve, i cili pati për qëllim të nxisë diskutim mbi ekonominë feministe.
Edmond Hajrizi, Rektor në UBT në fjalën e tij hyrëse theksoi rëndësinë e hulumtimeve dhe inovacionit, si dhe promovimin e barazisë gjinore në ekonomi. Në fund, ai shpalli themelimin zyrtar të Qendrës për Ekonomi Gjinore në UBT.
Edhe Ulrike Lunacek, Zëvendës-Presidente e Parlamentit Evropian dhe Raportuese për Kosovën e theksoi rëndësinë e arsimimit të grave që ato të realizojnë të drejtat e tyre. Ajo e përmendi faktin se si djemtë qysh në fëmijëri luajnë futboll dhe mësohen të luajnë në ekip drejt arritjes së një qëllimi të përbashkët, edhe nëse ata nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin. Gratë nuk i kanë këto mundësi, e kjo më vonë transferohet edhe në punën e tyre në politikë apo biznes. Ajo gjithashtu e theksoi nevojën që burrat të angazhohen në më shumë role në shtëpi, gjë që do t’iu mundësonte grave të kalojnë më shumë kohë në punë. Edhe burrat do të përfitonin, duke patur më shumë kohë për të kaluar me fëmijët e tyre. Jeta Krasniqi, Këshilltare Politike në Zyren e Presidentes së Republikës së Kosovës gjithashtu foli për rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave.
Tutje, Besa Zogaj-Gashi, Zëvendës Ministre në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik, deklaroi se Ministria po planifikon një pilot projekt për Punësimin Online të Grave, i cili po pritet të gjeneroj 20,000 vende pune për gratë.
Sigrid Meyer nga projekti për Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) i paraqiti ekonomitë SMART, një projekt që promovon mundësitë e barabarta ekonomike për gratë. Ajo gjithashtu e prezantoi fushatën e PPSE-së “#edhetimundesh” dhe “#itimozes” që kanë për qëllim të inkurajojnë burrat dhe gratë të përkrahin punësimin e grave. Anëtarja e RrGGK-së, Sylbije Sahiti, nga OJQ Parajsa Jonë ishte paraqitur në njërin prej dokumentarëve mbi gratë e suksesshme.
Merita Limani nga Programi i USAID-it për të Drejtat Pronësore dhe Specialiste për të Drejtat Pronësore dhe Gjinore, e theksoi se mungesa e zabtimit të Ligjit të Trashëgimisë ka penguar zhvillimin ekonomik të grave. Si pasojë e barrierave kulturore, pak gra e realizojnë të drejtën e tyre për trashëgimi. Andaj, shumë pak gra posedojnë pronë në emrin e tyre.
Gjatë organizimit të panelit nga RrGGK mbi Ekonominë Feministe: Konceptet dhe Teoritë, Dr. Vjollca Krasniqi nga Universiteti i Prishtinës ofroi kritikë feministe mbi ekonominë. Ajo potencoi rëndësinë e ndryshimit te politiakve makroekonomike për ti bërë më të përgjegjshme nga ana gjinore.
Nicole Farnsworth, Hulumtuese Kryesore në RrGGK, sqaroi kuptimin e ekonomive heterodokse, ekonomitë femisite dhe disa teori mbi politikat relevante që janë shtyer nga ekonomistet feministe. Ajo pastaj paraqiti një dokument pune të bërë nga ajo, Nerina Guri dhe Donjeta Morina, të quajtur “Kostoja e Kujdesit” i cili shqyrton ndikimin që kujdesi si punë mund të ketë në pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore të Kosovës. Farnsworth sqaroi se edhe pse duhet kohë, përpjekje dhe aftësi të veçanta për punën e kujdesit, ky lloj i punës rrallë njifet për efektin që e ka në ekonomi. Gratë përbëjnë shumicën e kujdestareve, dëshmi që tregon se shumë gra mund ta lënë shkollimin, e kjo mund të ndikoj në rënien e fuqisë punëtore të grave. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë për krijimin e qendrave të kujdesit që do mund të krijonin vende pune dhe t’iu mundësojnë grave rritje të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, si një politikë që duhet të bëhet me prioritet. Duke e cituar fituesen e çmimit Nobel, Amartya Sen mbi Qasjen Ekonomike me Aftësi, projekt menaxherja Ada Shima nga Programi i Tregut Aktiv të Punës të UNDP, shpjegoi se varfëria nuk duhet të matet vetëm në aspektin e vlerës monetare, por edhe në lidhje me lirinë dhe të drejtën për të zgjedhur jetën që ne duam të jetojmë.