Vazhdon avokimi për të drejtat e grave në punë

Përfaqësueset e organizatave të shoqërisë civile me 28 tetor u mblodhën për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm rreth avokimit të përbashkët për futjen e Lejes së Lehonisë, Atësisë dhe asaj Prindërore në Ligjin e Punës. 

Në këtë takim, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka theksuar nevojën që Ligji i Punës të jetë në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian (BE), duke kujtuar se drafi i tanishëm i Ligjit të Punës është diskriminues ndaj grave, prandaj amandamentimi i tij në përputhje me Direktivën e BE-së mbi Balancin Punë-Jetë është parësor.  

Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova tha se ky takim është i rëndësishëm për të çuar përpara të gjitha rekomandimet e organizatave të grave mbi ligjin e punës. 

“Uniteti i organizatave që punojnë për të drejtat ekonomike të grave është qenësor për amandamentimin e Ligjit të Punës”, tha ajo.

Takimet e radhës të këtij grupi punues do të mbahen nën organizimin e Forumit Ekonomik të Grave.

Të gjitha organizatat e pranishme, si; Gratë për Gratë Kosovë, Instituti Riinvest, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), Instituti GAP,  Demokraci për Zhvillim (D4D), Friedrich-Ebert-Stiftung Kosovo – FES, Iniciative Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), u zotuan që nuk do të ndalen së punuari derisa gratë në tregun e punës të gëzojnë të drejtat e tyre në tërësi.