Osteoporoza është një sëmundje e cila dobëson kockat gradualisht, duke çuar në dhimbjen dhe thyerjen e tyre. Dita Botërore e Osteoporozës (WOD) që është me 20 tetor, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së popullatës për diagnostikimin, trajtimin dhe parandalimin e osteoporozës dhe sëmundjes metabolike të kockave.
Këtë vit Shoqata e Gruas Pensioniste Vita-Jeta, anëtare e RrGGK, në bashkëpunim me Asociacionin për Osteoporozë të Kosovës ka organizuar një aktivitet vetëdijësues me moton: Osteoporoza Sëmundje e Heshtur që Kërcënon. Ata u ofruan qytetarëve fletushka me informata në lidhje më sëmundjen e Osteoporozës.
“Aktivitetet e tilla janë shumë të nevojshme sepse unë para këtij aktiviteti nuk kam qenë e informuar për rreziqet e kësaj sëmundje, ndërsa tani kam marrë të gjitha informatat e nevojshme,” tha një pjesëmarrëse.
Ky aktivitet mblodhi 50 persona të cilët poashtu marshuan drejt sheshit të qytetit duke mbajtur në dorë fletushka me informata mbi sëmundjen e osteoporozës për të ngritur vetëdijën tek qytetarët.
“Mendoj që kemi arritur qëllimin që sado pak të informojmë qytetarët në lidhje me këtë sëmundje; ne poashtu kemi ofruar sesione informative për gratë anëtare të organizatës sonë,” tha Ajshe Nuhiu drejtore ekzekutive e Vita-Jeta.