Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), You Can Do, përmes një analize vë në pah dhunën në bazë gjinore ndaj grave me aftësi të kufizuara. Në përmbledhjen e dokumentit, analizohet situata aktuale dhe problemet ekzistuese në Kosovë.
“Gratë me aftësi të kufizuara përballen me sfida të mëdha dhe diskriminim e dyfishtë në lidhje me dhunën në bazë gjinore. Kjo ndërkohë sjell nevojën për një përqendrim të veçantë në adresimin e kësaj çështjeje në nivel individual, institucional dhe shoqëror, “ thuhet në përmbledhjen e politikave “Dhuna në bazë gjinore ndaj grave me aftësi të kufizuara”.
Në Republikën e Kosovës jetojnë 28,611 persona me aftësi të kufizuara, të 58% e të cilëve janë gra dhe 42% burra. Personat me aftësi të kufizuar kanë shkallë më të lartë të papunësisë, të pasivitetit ekonomik si dhe të mungesës së mbështetjes sociale në krahasim me personat e tjerë. Gratë me aftësi të kufizuara përballen me diskriminim të dyfishtë, sepse ato jo vetëm që përjetojnë diskriminim në bazë gjinore, por gjithashtu hasin barriera dhe paragjykime të bazuara në aftësinë e kufizuar, gjë që kufizon më tej qasjen e tyre në arsim, punësim, kujdes shëndetësor dhe shërbime sociale edhe më tej.
Gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara kanë tre herë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë me bazë gjinore, nga familja, partnerët intimë, kujdestarët dhe institucionet, krahasuar me gratë që jetojnë pa aftësi të kufizuara. Kryesit e dhunës në shumicën e rasteve janë anëtarët e familjes dhe kujdestarët.
You Can Do në përmbledhjen e analizës të kryer në kuadër të nismës “Promovimi i mekanizmave shtetërorë që gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuar të jetojnë jetën pa abuzime seksuale” kërkon të nxisë ndërgjegjësimin dhe edukimin e grave me aftësi të kufizuara në lidhje me të drejtat e tyre. Gjithashtu kërkohet zbatimi më i mirë i kornizës ligjore dhe politikave ekzistuese për mbrojtjen e tyre.
OJQ You Can Do publikoi këtë analizë si përfituese e grantit të Raundit të 17-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Dokumentin e plotë mund ta gjeni në këtë link.