Zvarritja e rasteve të dhunës me bazë gjinore nga sistemi gjyqësor

Dhuna ndaj grave është forma më e shprehur e dhunës familje në Kosovë. Bazuar në statistikat për hulumtime gjinore dhe monitorimit të seancave gjyqësore, në më shumë se 95% të rasteve burrat ushtrojnë dhunë ndaj grave apo vajzave. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KRPK) dhuna në familje është vepër penale e dënueshme me deri në tre vjet burgim.

Por, bazuar në monitorimet e RRGK – së në divizionin penal në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dënimet e shqiptuara ndaj kryesve të dhunës në familje janë  kryesisht me kusht dhe me gjobë.

Kodi Penal për këto raste e parasheh dënimin me kusht, por gjyqtarët duhet të kenë parasysh dispozitat kur gjykata merr parasysh qëllimin e dënimit me kusht, sjelljen e mëparshme të kryesit, përgjegjësinë penale dhe rrethanat e tjera në të cilat është kryer vepra.

Në më shumë se 90%  të rasteve të dhunës në familje bazuar në seancat e monitoruara, kryesit kanë qenë të vetëdijshëm për veprimet e tyre, që do të thotë në shumicën e rasteve ka ekzistuar përgjegjësia penale si element i veprës penale. Gjithsesi në fund gjyqtarët i kanë shpallur fajtorë kryesit e dhunës, por shqiptimi i dënimit ka qenë me kusht dhe me gjobë.

Përveç dhunës në familje, në vitin e kaluar ka pasur rritje të numrit të rasteve të dhunës seksuale. Sipas raportit të EULEX, vetëm në vitin  2021 në Kosovë janë raportuar 107 raste të dhunës seksuale, krahasuar me 60 sa ishin në vitin 2020. Kjo rritje është duke vazhduar edhe në vitin 2022, por reagimi i institucioneve është në disproporcion.

Bazuar në të dhënat nga regjistrat në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, nga 1 Janari 2022 deri më 16 Gusht 2022 janë ngritur vetëm katër aktakuza, nga këto dy aktakuza për veprën penale dhunimi, një aktakuzë për trafikim me njerëz dhe një aktakuzë për veprën penale sulm seksual. Të akuzuarit në këto raste janë burra ndërsa të dëmtuarat– janë gra. Në po këtë departament në Procedurën paraprake, prokuroria po heton 11 raste të dhunës seksuale të kryera nga burrat, ndërsa ende nuk është ngritur aktakuzë.

Faktorë kryesor që janë duke ndikuar drejtpërdrejt në zvarritjen e seancave gjyqësore të rasteve të dhunës në familje  dhe dhunës seksuale janë aktvendimet për shtyrjen e seancave gjyqësore. Të akuzuarit e veprave të dhunës seksuale, në shumicën e rasteve qëllimisht nuk paraqiten në seancat gjyqësore në mënyrë që, procedurat gjyqësore të shtyhen, fakt ky që do të kontribuojë vetëm në favor të akuzuarit.

Si pasojë e shtyrjeve dhe mos prezencës së të akuzuarit në procedurë, viktimat e dhunës si palë të dëmtuara në procedurë, janë duke pësuar në procedurat gjyqësore meqë vërtetimi I fakteve (gjendjes faktike) dhe mbledhja e provave pranë gjykatës po bëhet gjithnjë e më e vështirë, duke bërë që rasti të “zbehet “me kalimin e kohës. 

Rast konkret i veprës penale I cili rezultoi në një aktgjykim jo të drejtë për viktimën e dhunës, si pasojë e shtyrjeve të seancave për shkak të mos prezencës së të akuzuarit, ishte rasti për veprën penale keqtrajtim seksual me persona nën moshën 16 vjeçare, ku ndaj të akuzuarit për këtë vepër Prokuroria Themelore në Prishtinë/Departamenti për të Mitur kishte ngritur aktakuzën në vitin 2014 ndërsa hetimet lidhur me rastin kishin filluar nga viti 2012.

I akuzuari kishte munguar me dhjetëra herë në seanca, duke u munduar “t’iu ikte”, procedurave gjyqësore, dhe pas aktvendimeve të shumta nga gjykata për shtyrjen e seancave, pas tetë vjetësh nga aktakuza e ngritur, Gjykata Themelore në Prishtinë/Departamenti për të Mitur, në Korrik 2022 shpalli Aktgjykimin me të cilin e liroi të akuzuarin aktakuza.

Nga periudhën tetor 2021-gusht 2022, në 114 seanca të monitoruara 35 janë shtyrë, kryesisht raste të dhunës në familje dhe dhunës seksuale.