Feministet e reja u takuan përsëri me 2 shtator në “Si n’Bahçe”. Në këtë takim joformal morrën pjesë shtatë vajza të cilat diskutuan tema interesante dhe njëkohësisht të ndjeshme. Së pari, ato diskutuan për problemet që hasin në jetën e përditshme, lëvizjen feministe në përgjithësi, si dhe veprimet që mund të ndërmerren në të ardhmen prej RrGGK-së dhe Iniciativës.
Ndër çështjet kryesore që u diskutuan ishin presioni i madh që familja dhe shoqëria u bën vajzave për t’u përshtatur me standarde të caktuara të bukurisë; mungesa e pavarësisë të marrin vendime për vetën; dhe ngacmimet seksuale në rrugë. Për ngacmimet seksuale në rrugë vajzat shprehën nevojën për më shumë informata mbi mekanizmat ligjorë që ekzistojnë për luftimin e këtij fenomeni.
Një pikë tjetër diskutimi ishte edhe mungesa e njohurive që ato kishin mbi shëndetin riprodhues. “Po të mos ishte interneti, unë nuk do të dija asgjë për këtë çështje”, tha njëra prej vajzave dhe dha shembullin se si arsimtarët e lëndës së Biologjisë nëpër shkollat tona kapërcejnë kapitujt mbi organet seksuale pa i shpjeguar ato.
Pasi u diskutuan këto probleme, pjesëmarrëset folën për Iniciativën në përgjithësi. Sa i përket kufirit të moshës për t’u quajtur “Feministe e Re”, ato u pajtuan që nuk duhet të ketë moshë të caktuar, por që termi “Feministe e Re” duhet të nënkuptoj si feministet e reja në moshë, ashtu edhe ato që e konsiderojnë veten si të reja në lëvizjen feministe. Për këtë arsye, si sugjerim për emër të grupit u dha “Feministet e Reja²”
Në fund, vajzat shprehën dëshirën e tyre për të mësuar sa më shumë për feminizmin dhe për lëvizjen e gruas në përgjithësil, si dhe dëshiren që këto takime të organizohen më shpesh, pasi që në këto takime vajzat mund të diskutojnë shumë çështje të cilat nuk kanë pasur mundësi t’i diskutojnë në famije apo shoqëri.
Prandaj çdo të martë, nga ora 18:00, do të vazhdojnë të mbahen këto takime, të hapura për të gjithë të interesuarit pa dallim gjinie apo moshe.