OJQ-të anëtare të RrGGK mësojnë teknika se “Si t’i qasen mediave”

Gjatë punëtorisë “Si t’i qasemi mediave?” të udhëhequr nga Xheraldina Buçinca Vula, Zëvendës Drejtore në RTV 21, pjesëmarrëset mësuan teknika lidhur me atë se kur e si duhet t’iu qasemi mediave. Poashtu, rëndësi iu kushtua edhe mënyrave të të shprehurit, mënyrave të krijimit, menaxhimit, promovimit dhe shpërndarjes së informacionit, si dhe kodit të mirësjelljes për paraqitjet në media. Pjesëmarrëset poashtu mësuan edhe për aftesitë, llojet, dinamikën dhe stilin e komunikimit.
     “Sot kur mediat luajnë një rol aq të madh në shoqëri, ku 90% e informatave vijnë pikërisht nga ato vetë, rëndësi të madhe kanë edhe aftësitë e komunikimit,” u shpreh gjatë punëtorisë Xheraldina Buçinca Vula. “Pavarësisht a zhvilloni një intervistë të thjeshtë a të shkurtër, nëse merrni një deklaratë ose bëni një stand-up, apo e lexoni para mikrofonit ose para kamerës një kumtesë për gazetarë, ju duhet të jeni ata persona me të cilët publiku ndjehet mirë dhe i beson.”
     Duke pasur parasysh dinamikën e zhvillimit të teknologjisë dhe vendin e rrjeteve sociale, pjesëmarrëset poashtu diskutuan edhe për atë se si funksionojnë këto rrjete, pse duhet të përdoren për promovimin e punës tonë dhe si të përdoren në mënyrën e duhur.
   “Paraqitja në media dhe përcjellja e informatave tek publiku përmes mediave është shumë ë rëndësishme për promovimin e punës së organizatave tona,” u shpreh njëra nga pjesëmarrëset. “Kjo punëtori na ofroi mundësinë të mësojmë shumë gjëra të reja nga kjo fushë, që padyshim do të na hyjnë shumë në punë.”