Që nga viti 2010, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka përkrahur aktivitetet e Grupeve Avokuese të Grave (GAG) nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.
Takimi i tretë i GAG-ve “Gratë Avokojnë në Nivel Lokal dhe Qendror” u mbajt me 21-23 nëntor në Strugë, Maqedoni. Në këtë takim morrën pjesë 64 gra nga sfera e politikës dhe shoqërisë civile, nga 17 komuna të Kosovës.
Ky takim, më saktësisht data 21 nëntor, shënoi themelimin e Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë, me deklaratë të nënshkruar nga të gjitha pjesëmarrëset. Krijimi i Lobit për Barazi Gjinore u hap rrugë edhe burrave dhe djemve të Kosovës të cilët përkrahin të drejtat e barabarta mes grave dhe burrave, të kenë mundësinë të jenë pjesë e grupit.
Igballe Rogova, Drejtore Egzekutive e RrGGK u prezantoi të pranishmeve Strategjinë e re të RrGGK 2015-2018, duke hapur pastaj edhe diskutimin rreth programit “Fuqizimi i grave në politikë dhe vendimmarrje” të strategjisë së RrGGK.
“Strategjia e RrGGK-së përfshin në mënyrë mjaft te detajizuar dhe shumë të qartë punën e RrGGK-së në tre vitet e ardhshme,” u shpreh njëra nga pjesëmarrëset. “Kjo është një punë shumë e madhe dhe neve nuk na mbetet gjë tjetër përveç t’iu përkrahim e të japim kontributin tonë drejt realizimit të saj.”
Më tutje, Nicole Farnsworth, Menaxhere Programi në RrGGK prezantoi para të pranishmëve temën “Institucionalizimi i buxhetit nga perspektiva gjinore.” Ky prezantim iu mundësoi pjesëmarrëseve të kuptojnë më shumë rreth Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ), duke iu dhënë shembuj konkret se si ta arrijnë BPGJ-në.
“Prezantimi ishte shumë i nevojshëm, i qartë dhe do të na hyjë shumë në punë,” u shpreh njëra nga pjesëmarrëset. “Prandaj mendoj që patjetër i njëjti duhet të prezantohet edhe tek zyrtarët tjerë, nëpër komunat dhe ministritë e Kosovës.”
Një pjesë e takimit iu kushtua edhe raportimit të grupeve të të gjitha komunave për çështjet për të cilat kanë arritur të avokojnë nëpër komunat e tyre gjatë vitit 2014, duke përfshirë fillimin e shkollimit jo formal për gra dhe vajza; lehtësimin e vijimit të shkollës për vajza; punësimin dhe vetëpunësimin e grave; rritja e përfshirjes së grave dhe vajzave nëpër komitete komunale; përkrahja e grave fermere dhe atyre në biznes; sigurimin e mamografit dhe ofrimin e kontrolleve falas për kancerin e gjirit; financimi i strehimoreve dhe programi i ri-integrimit në shoqëri për viktimat e dhunës etj.
Më pas, pjesëmarrëset u ndanë në grupe sipas komunave për të diksutuar dhe identifikuar së bashku nga tre çështje për të cilat ato do të avokojnë gjatë vitit 2015. Disa prej iniciativave të planifikuara përfshijnë: sensibilizimin e grave që të ushtrojnë të drejtën e pjesëmarrjes në hartimin e politikave buxhetore; vizitat e rregullta falas tek gjinekologu apo dentisti apo mjekët tjerë; ndërtimi i çerdheve shtetërore dhe shtëpive të pleqve në ato komuna ku mungojnë; përkrahja ekonomike e grave në biznes; avancimi i pozitës së grave në vendimmarrje; avokimi, lobimi dhe monitorimi i zbatimit të planifikimit të buxhetimit gjinor; përkrahja e grave fermere si dhe kyçja e tyre në agrikulturë etj.
Anëtar të Lobit për Barazi Gjinore mund të jenë gra dhe burra, djem dhe vajza, nga e gjithë Kosova dhe të cilët e përkrahin këtë vizion.
Ky takim në Strugë u mundësua me përkrahjen e Austrian Development Agency (ADA).