QPDG dhe QPFSH avokojnë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

 Duke filluar nga muaji korrik, organizata Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas, në partneritet me organizatën Qendra për Promovimin e Familjes së Shëndoshë (QPFSh) në Prishtinë, për katër muaj do të zbatojnë projektin “Fuqizimi i të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës për realizimin e të drejtave të tyre ligjore”.

Projekti ka për qëllim ndërgjegjësimin, avokimin, dokumentimin dhe fuqizimin ekonomik të grave e vajzave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, të cilat jetojnë në komunat e Drenasit, Skënderajit dhe Prishtinës. Gjatë zbatimit të projektit do të mbahen edhe sesione vetëdijesuese me familjarët dhe komunitetin, si dhe do të avokohet tek institucionet lokale për fuqizimin ekonomik të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.
Fakti që në këto komuna ka një numër të madh të grave dhe vajzave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, ka bërë që QPDG dhe QPFSh të bashkëpunojnë me qëllim që këtyre grave t’u njihet statusi si viktima civile të luftës.
Me 17 korrik, u mbajt takimi i tretë informues me gratë dhe vajzat, që ato të njihen me të drejtat e tyre ligjore dhe procedurat e aplikimit për statusin e viktimës civile të luftës.
Trajnerja Eronita Brahimi bëri prezantim të detajizuar të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04-L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktima, duke shpjeguar edhe rolin e Komisionit të krijuar për pranimin e aplikacioneve për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës, gjë për të cilën janë autorizuar edhe organizatat joqeveritare që do ta mbështesin këtë proces.
Në mars të vitit 2014, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka aprovuar amandamentin e ligjit Nr. 04/L-054 mbi “statusin e të drejtave të martirëve, indvalidëve, veteranëve, anëtarëve të UÇK-së, viktimat civile të luftës dhe familjarëve të tyre” për të njohur zyrtarisht dhe për të përfshirë statusin e viktimave civile të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Statusi u jep të drejtë 20,000 grave në Kosovë për pensione mujore dhe përfitime të tjera të përshkruara me ligj. Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë, i themeluar në vitin 2014 nga ish Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, zhvilloi legjislacionin e nevojshëm dhe aktet nënligjore të nevojshme që krijojnë parakushtet për tu siguruar që të mbijetuarat e dhunës seksuale do të kenë qasje në përfitimet e përmendura nga ligji paraprak. 
Me 19 prill 2017, Qeveria e Kosovës ka publikuar Strategjinë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Planin e Veprimit 2016-2020. Strategjia mbështetet kryesisht në të dhënat dhe rekoamndimet e bëra nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), gjegjësisht në rreth 70% të rekomandimeve të raportit të fundit “Mjaft më me arsyetime: Analizë e qëndrimeve, incidencës dhe reagimeve institucionale ndaj dhunës në familje në Kosovë”.
Njëra nga përfitueset e projektit, e cila është e mbijetuar e dhunës sekuale, theksoi se “pasojat të cilat na janë shkaktuar janë shumë të mëdha dhe se çdo ditë për shkak të tyre jetojmë me frikë, me vuajtje e dhimbje. Një goditje të fortë na jep edhe shoqëria e cila stigmatizon dhe përulë, sikur kjo që na ka ndodhur është me faj tonë”. Gratë, të mbijetuara të dhunës seksuale, shpresojnë që një ditë të vendoset drejtësi dhe fajtorët të ndëshkohen për veprimet e tyre.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGK dhe financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.