Cikli i vitit 2019 i nën-komiteteteve të procesit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim fillon në shkurt të këtij viti, me diskutimet mbi inovacionin, shoqërinë e informacionit dhe politikat shoqërore, ku si tema diskutimi do të jenë çështja e telekomunikacionit, mediave, punësimit dhe edukimit.
Nën-komitetet janë mekanizma të formuar në kuadër të dialogut teknik, në Procesin e Stabilizim Asocimit. Në takimet e këtilla mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, diskutohen çështje me karakter teknik dhe politik dhe implementimi i reformave.
Para dialogut politik me qeverinë e Kosovës, Rrjeti i Grave të Kosovës me 28 janar në Prishtinë, mori pjesë në konsultimet publike mes përfaqsuesvee të Bashkimit Evropian dhe organizatave të shoqërisë civile.
Rekomandime praktike dhe politika konkrete i’u prezantuan përfaqsuesve të Bashkimit Evropian (BE), nga ana e RrGK-së mbi Reformat në Edukim, Punësim dhe Mirëqenie Sociale.
RrGK rekomandoi një monitorim më të përafërt të rishikimit gjinor në kurrikulë sa i përket transformimit të roleve gjinore dhe diskriminimit gjinor në tekste shkollore, dhe më shumë përfshirje të organizatave të grave në këtë çështje, përfshirë edhe ri-trajnimin e mësimdhënësve.
Syzana Bytyqi-Jagxhiu, përfaqsuese e zyrës së BE-së në Kosovë sugjeroi që organizatat mund të jenë më aktive në monitorimin e implementimit të Ligjit për tekstet shkollore.
Sa i përket qasjes në edukim, RrGK e theksoi rëndësinë e alokimit të buxhetit për asistentët personalë të cilët duhet tu caktohen personave me nevoja të veçanta, dhe nevojën e angazhimit nga ana e qeverisë për sigurimin e transportit publik për fëmijët e këtij komuniteti. RrGK gjithashtu e përmendi edhe ekzistencën e segregimit gjinor, sipas gjetjeve të analizes gjinore në Kosovë, duke rekomanduar politika konkrete në procedura të rekrutimit, të cilat mund ta ngrisin nivelin e përfaqësimit të denjë gjinor të mësimdhënësve dhe të jenë në pajtim me Ligjin për Barazi gjinore.
Sa i përket Punës dhe Mirëqenies Sociale, RrGK adresoi çështjen e nevojës për amendamentimin e Ligjit të Punës në raport me pushimin e lehonisë dhe pushimin prindëror, si dhe transpozimin e duhur të konceptit të grave të vetëpunësuara. Ligji i punës duhet tu përcaktojë grave të vetëpunësuara të drejtën në pushim të lehonisë dhe përfitim nga sigurimi social e shëndetësor. Bashkë me përfaqsuesit e organizatave tjera të shoqërisë civile, vëmendje iu dha edhe diskutimit mbi mungesën e opsioneve për përkujdesje të fëmijëve, sidomos në zonat rurale. Sipas hulumtimeve, Kjo e fundit ndikon direkt në nivelin e punësimit të grave.
Një pikë tjetër e ngritur nga RrGK ishte edhe asja e qeverisë kundrejt ekonomisë joformale. RrGK insistoi në rekomandimin e përsëritur për shumë herë me radhë, në përpilimin e një analize gjinore që do ti informonte sektorët dhe do të kontribonte në një qasje të padëmshme kundrejt këtij problemi. Gjithashtu, u theksua nevoja për trajnim të mëtutjeshëm të inspektorëve sa i përket barazisë gjinore dhe shëndetit e sigurisë në punë. Përfaqsuesit e BE pohuan se është e nevojshme rritja e numrit të inspektorëve, por edhe ngritja e kapaciteteve profesionale të tyre.
Ky ishte takimi i parë per vitin 2019, ndërsa në secilin nga takimet në vijim do të diskutohet mbi masa konkrete që duhet të ndërmirren nga autoritetet Kosovare. RrGK shpreson qe keto veprime do të ndërmirren duke e konsideruar inputin e organizatave të shoqërise civile. Përfaqsues dhe zyrtarë të BE kanë deklaruar se këto rekomandime do të përfshihen edhe në Raportin e Progresit për vitin 2019.
Përgatitja dhe avokimi i RrGK-së lidhur me integrimin e perspektivës gjinore në procesin e pranimit në BE mbështetet nga Fondacioni Kvinna till Kvinna me financim nga Sida. Pikëpamjet e paraqitura nuk korrespondojnë domosdoshmërisht me pikëpamjet e Fondacionit Kvinna till Kvinna dhe Sida.