Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) më 24 maj mori pjesë në prezantimin e hulumtimit mbi opinionet e qytetarëve të Kosovës në lidhje me stigmën ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe rezultatet e anketës me të mbijetuarat e dhunës seksuale, të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehablitimin e të Mbijeturave të Torturës (QKRMT).
Kjo anketë është realizuar gjatë periudhës janar-mars 2019, në shtatë rajone të Kosovës, me gjithsej 164 respodentë, respektivisht 30 të mbijetuara të dhunës seksuale (15 prej tyre kanë të njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale, kurse 15 janë në pritje të verifikimit), ndërsa e veçanta është se rezultatet janë krahasuar me ato të vitit të kaluar.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se janë duke u përpjekur që të fuqizojnë të mbijetuarat duke larguar të gjitha paragjykimet ndaj tyre.
Ajo ka bërë të ditur se ndër gjërat më të rëndësishme për të arritur qetësinë shpirtërore, sipas viktimave, është renditur qasja në drejtësi.
“Ne bashkërisht jemi duke punuar me institucionet dhe mendojmë që adresimi i stigmës, paragjykimit, fuqizimit të viktimave ka shumë rëndësi në fuqizimin e grave dhe vajzave për të arritur drejtësi edhe pse mjaft e vonuar për këtë grup të ndjeshëm shoqëror”, tha Rushiti.
Kurse më shumë nga ky hulumtim ka shpalosur Sebahate Pacolli, Koordinatore e Programit Rehabilitues në QKRMT.
“Qytetarët tani janë më të hapur në komunikim, dinë se dhuna seksuale ka ndodhur, pohojnë se viktimat nuk përkrahen mjaftueshëm nga shoqëria dhe institucionet. Krahasuar me 2018, në 2019 qytetarët kanë rritje të vetëdijes në lidhje me Komisionin dhe verifikimin të statusit të viktimave”, tha Pacolli.
Tutje u bë e ditur se 55% e qytetarëve njohin fushatat në mbështetje të të mbijetuarave, dhe se rreth 60% të qytetarëve mendojnë se vetëm OJQ-të mbështesin të mbijetuarat e dhunës seksuale, mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe integrimin në shoqëri.
Sipas këtij hulumtimi, 60% të të mbijetuarave të dhunës seksuale ndjehen me vetëbesim dhe janë duke u përgatitur për aplikim për njohje të statusit, pa u frikësuar nga shoqëria apo familja. Po ashtu, të dhënat tregojnë se njohja e statusit ka ndikuar pozitivisht në jetën dhe raportet familjare të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ndër të gjeturat tjera të këtij hulumtimi janë; publiku ka rritje të njohurive rreth të mbijetuarave të dhunës seksuale, ka mbështetje më të madhe të shoqërisë ndaj tyre, të mbijetuarat kanë më shumë vetëbesim.