“In Time” mban takime për fuqizim politik dhe ekonomik të grave

Organizata “In Time”, përfituese e rundit të 15 të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), ka filluar aktivitetet e nismës “Përmirësimi i pjesëmarrjes së grave në politikë dhe proceset vendimmarrëse drejt fuqizimit ekonomik të grave”, të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe mbështetur nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).  

Në takimin e parë të mbajtur më 4 tetor me asambliste të deritanishme të komunës së Prizrenit, gra kandidate për asamble, dhe qytetare, u diskutua për probleme të ndryshme në të cilat ato hasin. Gjithashtu, u prezantuan të dhënat e hulumtimit të kryer nga “In Time”, që tregojnë se 94% e grave janë përgjigjur se i kushtojnë rëndësi votimit të grave në zgjedhjet komunale. Për më tepër, ato kanë kërkesa të shumta nga gratë kandidate për asamble, siç janë mbështetja në biznes, punësim, dhe trajtim të barabartë.  

Kandidatja për asamble komunale, Vlora Karavidaj, tha se votimi është e drejtë dhe përgjegjësi e çdokujt.   
“Duhet të bëhet vetëdijesim te gratë për rëndësinë e votës së tyre, por edhe te burrat që të mos i pengojnë gratë të marrin pjesë në votim”, tha ajo.  

Kandidatja tjetër, Dafina Alishani, tha se fuqizimi ekonomik i grave duhet të monitorohet.   
“Gratë po marrin fonde të cilat po i shfrytëzojnë burrat. Andaj, duhet të bëhet monitorim i vazhdueshëm i këtyre fondeve që po i marrin gratë, në mënyrë që atyre të mos u merret e drejta e punës”.  

Për Ymran Fushën, kandidate për asamble komunale dhe kryetare e Shoqatës Zejtare Afariste të Prizrenit, është e rëndësishme krijimi i kushteve infrastrukturore që gratë të zhvillojnë bizneset e tyre.    
“Hapja e një pike të përbashkët të shitjes në qendër të qytetit, do të ishte ide e mirë që produktet e grave afariste e zejtare të jenë më të qasshme për turistët, por që edhe ato ta ndihmojnë njëra-tjetrën”.

Takime të tilla u mbajtën edhe me gra të komunës së Vushtrrisë, e Mitrovicës. Në këto takime u dakordua që gratë e të gjitha partive politike duhet të jenë të bashkuara në mënyrë që secilës grua t’i dëgjohet zëri, dhe të avancohet roli i saj në politikë, ekonomi, apo fusha të tjera.  

Takimi në Vushtrri
Takimi në Mitrovicë

“In Time” do të vazhdojë zbatimin e nismës përmes organizimit të takimeve me gratë në marrëdhënie pune, gratë sipërmarrëse, dhe gratë e papuna, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve të tyre për të avokuar për prioritetet e grave.