Në vazhdën e nismës “Rritja e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje”, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Shoqata e Grave “Aureola”, ka mbajtur takime në disa qytete të Kosovës me kandidate për asamble komunale.
Drejtorja ekzekutive e organizatës “Aureola”, Sanije Grajçevci, tha se janë falënderuese që kanë përfituar nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës, sepse nismat e tilla janë të nevojshme që të rritet pjesëmarrja e grave në vendimmarrje.
Në takimin e mbajtur në Fushë Kosovë më 8 tetor, kandidatet theksuan nevojën e përkrahjes institucionale për gratë.
Kandidatja për asamble Hasime Kostanica, përmendi faktorët kryesorë që pengojnë përfshirjen e grave në politikë, por edhe në fusha të tjera.
“Shumë shkolla në Fushë Kosovë nuk ofrojnë edukim parashkollor, që ndërlidhet direkt me rolin e gruas në kujdesin e fëmijëve dhe pamundësinë që ajo të merret me aktivitete të tjera. Ndërsa në çerdhe publike vetëm nënat e punësuara kanë të drejtë t’i regjistrojnë fëmijët e tyre. Por, e njëjta duhet të vlejë edhe për nënat e papunësuara në mënyrë që ato të kenë kohë për të kryer trajnime dhe të aftësohen për tregun e punës”.
Tutje, kandidatja tjetër, Vildane Latifi, tha se gratë kanë nevojë për përkrahje në financim e punësim.
“Është një thënie se nëse duam të investojmë në qëndrueshmërinë e komunitetit, duhet të investojmë te gratë. Andaj, synimi ynë është ta fuqizojmë sa më shumë rolin e grave në shoqëri. Gratë duhet të përkrahen dhe duhet të kenë pozita udhëheqëse”.
Ndërsa, për kandidaten Vjollca Tërnava-Konjusha, e cila po garon për mandatin e tretë, bashkëpunimi mes asamblisteve është shumë i rëndësishëm.
“Gjithmonë kemi pasë marrëdhënie të mira më njëra-tjetrën, që të punojmë për interesin e grave. Ky bashkëpunim duhet të vazhdojë edhe më tutje, në mënyrë që të punojmë bashkë për të fuqizuar pozitën e grave në shoqëri dhe të frymëzojmë edhe gra të tjera për t’u përfshirë në politikë”.
Takime të ngjashme janë mbajtur edhe me kandidate të komunës së Prishtinës, Kastriotit, Lipjanit, Drenasit, dhe Podujevës. Në të gjitha këto takime u diskutua për punën që kanë bërë asamblistet për të ngritur dhe adresuar problemet e grave, si dhe për të fuqizuar rolin e tyre në shoqëri.
Aktivitetet e radhës së Shoqatës së Grave “Aureola” përfshijnë takime me kandidatet për kryetare komunash.
Nisma e Aureolës “Rritja e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje” është përkrahur nga rundi i 15 i FGK-së, me mbështetje financiare nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë. Ky rund ka marrë mbështetje edhe nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) të mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.
Në vegëzat e mëposhtme mund të lexoni më shumë për të gjitha nismat e mbështetura nga rundi i 15-të i FGK-së.
Fondi i Grave të Kosovës ndan 109,312€ për 23 organizata të grave në Kosovë
Fondi i Grave të Kosovës ndau edhe 49,673€ për 11 organizata të grave në Kosovë