“Handikos Mitrovica” po vazhdon me zbatimin e nismës “Shëndeti riprodhues dhe edukimi seksual i grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara në komunën e Mitrovicës”, në kuadër të rundit të 15 të Fondit të Grave të Kosovës.
Më 26 tetor, me anëtare të kësaj organizate u diskutua për konceptet e shëndetit riprodhues, me theks të veçantë te gratë me aftësi të kufizuara, dhe për politikat e Kosovës që rregullojnë këtë çështje.
Drejtorja e Organizatës, Myrvete Hasani, falënderoi Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) për mbështetjen e vazhdueshme të vajzave e grave me nevoja të veçanta. Ajo shtoi se qasja në institucione shëndetësore për to është e kufizuar shkaku i mungesës së pjerrinave e ashensorëve, e problem paraqesin edhe shtretërit e papërshtatshëm.
“Këto trajnime janë mundësi e mirë që të marrim shumë njohuri për shëndetin tonë. Gjithashtu, do të punojmë në drejtim të përmirësimit të kushteve në mënyrë që asnjë vajze apo gruaje të mos i mohohet e drejta për kujdes shëndetësor”, tha ajo.
Trajnerja, Mirlinda Rushiti, tha se është shumë e rëndësishme që vajzat dhe gratë të bëjnë kontrolle të rregullta mjekësore.
“Ju inkurajoj që për çdo dyshim që e keni të konsultoheni me profesionistë shëndetësorë. Vetëm në këtë mënyrë do ta ruani shëndetin tuaj, pa u kushtuar fare vëmendjeve stereotipave të shoqërisë”, tha ajo.
Pjesëmarrësja Violeta Klisurica, tha se ky trajnim i ka ndihmuar që të ketë pasqyrë më të qartë për shëndetin riprodhues.
“Shumë informata mund t’i marrim edhe në rrjete sociale mirëpo është ndryshe kur organizohet një trajnim i tillë dhe e kemi mundësinë e diskutimit në grup dhe të parashtrimit të pyetjeve. Diskutimi i sotëm ishte i detajuar dhe shumë i dobishëm”, vlerësoi ajo.
Në takim u shpërfaq edhe nevoja e përfshirjes së lëndës së edukimit seksual nëpër shkolla.
Kjo organizatë anëtare e RrGK-së do të vazhdojë trajnimet me vajza dhe gra të kësaj komune, ndërsa aktivitetet pasuese përfshijnë takime me institucionet lokale në mënyrë që t’i adresojnë problemet e paraqitura.
Kjo nismë financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Suedeze për bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”.