Nisma “Gra Punëtore Bashkohuni” u ndihmon grave të diskriminuara të kërkojnë të drejtat e tyre

“Ishte shumë stresuese të humbisja punën gjatë shtatzanisë, vetëm për shkak që isha shtatzanë. Edhe më stresuese ishte se kjo ndodhi gjatë një krize globale,” kujton një grua e cila u diskriminua në vendin e punës.

Ajo punonte në një bankë në Shkup dhe u pushua nga puna kur punëdhënësi e kuptoi se ajo ishte shtatzënë.

Gjatë pandemisë, grupet më të cenueshme të grave u përballën me pasojat më të mëdha të diskriminimit me bazë gjinore dhe shkeljeve të të drejtave. Ndërkohë, në kulmin e pandemisë, Maqedonisë së Veriut i mungonte rregullorja kundër diskriminimit, e as Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk po funksiononte.

Kjo gjë pengoi qasjen në drejtësi në rastet e diskriminimit. Mungesa e mbështetjes ligjore dhe institucionale ka penguar edhe më shumë qasjen e grave në drejtësi në këto raste.

Pasi e punësuara mësoi se ishte përjashtuar padrejtësisht nga puna, ajo e shqetësuar  iu drejtua për ndihmë Komitetit të Helsinkit (Macedonian Helsinki Committee, MHC).

Ajo e kishte parë punën e Komitetit të Helsinkit përmes rrjeteve sociale, ku tregohej si Komiteti e kishe ndihmuar me sukses një grua shtatzënë pasi asaj i ishte ndërprerë kontrata e punës.

“Është zhgënjyese që qasja në drejtësi është e shtrenjtë dhe e ngadaltë”, thotë ajo. “Nuk do të kisha motiv për të filluar proceset gjyqësore vetë. Komiteti më dha motiv, gatishmëri dhe siguri financiare për të filluar procedurën gjyqësore”, vazhdon ajo.

Ndërkohë, rasti i saj ka frymëzuar edhe gra të tjera që të kërkojnë të drejtat e tyre. Përkatësisht, pas informimit të publikut për këtë rast, më shumë se 10 gra iu drejtuan zyrës së MHC për ndihmë juridike në lidhje me të drejtat e punëtoreve shtatzëna, ndërprerjen e kontratave të punës gjatë shtatzanisë, të drejtat e tyre në punë gjatë  shtatzanisë, si dhe në lidhje me punën gjatë natës dhe atë jashtë orarit.

Kjo nismë ofroi ndihmë juridike falas për viktimat e diskriminimit në bazë gjinore në punë. Më tej, postimet mujore dhe videot në rrjete sociale kontribuan në ngritjen e vetëdijes dhe informimin e publikut për diskriminimin me bazë gjinore ndaj grave në punë, gjë që bëri që më shumë gra të punësuara të kërkojnë ndihmë nga Komiteti i Helsinkit.

Një grua tjetër e punësuar në një industri të tekstilit në Shtip informoi Komitetin e Helsinkit se si nënë e fëmijëve nën 10 vjeç u pushua nga puna dhe paga e saj për prill dhe maj 2020 u përgjysëmua dhe ajo po merrte vetëm 50% të pagës totale. Ajo u pagua vetëm 7.500,00 denarë (afërsisht 120 euro), shumë kjo e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e përditshme, e veçanërisht kur flasim për familje katër anëtarëshe me dy fëmijë.

Komiteti i Helsinkit u ankua në Inspektoratin Shtetëror të Punës në Maqedoninë e Veriut. Pas inspektimit dhe gjetjes së parregullësive, inspektoriati urdhëroi punëdhënësin t’i paguajë asaj pagën e plotë.

“Me ndihmën e Komitetit të Helsinkit, punëdhënësi më pagoi pagën e plotë për muajt kur më duhej të qëndroja në shtëpi dhe të kujdesesha për fëmijën tim,” tregoi ajo.

Që nga viti 2020, si pjesë e nismës së tyre “Punëtoret e Bashkuara”, komiteti i Helsinkit ka dokumentuar një numër rekord të përfituesve.

“Me mbështetjen e Reaktorit dhe të RrGK-së, MHC rriti ndërgjegjësimin publik për fenomenin e diskriminimit me bazë gjinore në vendin e punës, informoi shumë gra të punësuara për të drejtat e tyre, por gjithashtu i stimuloi ato që të kërkojnë drejtësi në rast të shkeljes së tyre.”, tha një nga këshilltarët e MHC.

MHC ofroi ndihmë juridike falas në 33 raste nga të cilat përfituan 36 gra punëtore, filloi 10 procedura administrative dhe një procedurë gjyqësore për diskriminim në bazë gjinore në punë.

Nisma e Komitetit të Helsinkit “Gra Punëtore Bashkohuni!” ka përmirësuar qasjen e grave në drejtësi në rastet e diskriminimit me bazë gjinore në punë dhe ka rritur ndërgjegjësimin e grave në lidhje me mekanizmat që ekzistojnë për t’i mbrojtur ato.

Kjo nismë është mbështetur nga Reaktori, Rrjeti i Grave të Kosovës dhe partnerët e tjerë përmes nismës “Përmirësimi i të drejtave të grave në tregun e punës”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancuar nga Bashkëpunimi Suedez për Zhvillim Ndërkombëtar.

Ligji i ri në Maqedoninë e Veriut për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi hyri në fuqi në tetor 2020 dhe Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi filloi të funksionojë në shkurt 2021. Viktimat e diskriminimit tani kanë qasje të duhur në mekanizmin mbrojtës nga diskriminimi.