Pas dhjetë vitesh punë si mjeke në fushën e mjekësisë paliative në Nova Scotia të Kanadasë, Saneea Abboud ndjeu nevojën për një kthesë në karrierë. Edhe pse puna e saj ishte thellësisht domethënëse, ajo filloi të ndiente se kishte ardhur koha për diçka të re – diçka që mund të sjellë ndryshime më të gjera sistemike. Kjo dëshirë për të ndjekur një rrugë tjetër e çoi përsëri në shkollë, ku nisi një Master Shkencor në fushën e Shëndetit Global. Praktika e Saneea-s në RrGK, e mundësuar përmes programit Isla Internships, përbën komponentin përfundimtar të diplomës së saj – dhe njëkohësisht përvojën e saj të parë në Kosovë.
Interesi i Saneea-s për të drejtat e njeriut – dhe veçanërisht për të drejtat e grave – e bëri RrGK-në një zgjedhje natyrale për të eksploruar mundësi praktike. Qysh gjatë trajnimit mjekësor, ajo kishte treguar një interes të veçantë për të ndihmuar gratë. Në atë kohë mendonte të specializohej në gjinekologji. Edhe pse nuk ndoqi këtë drejtim, pasioni i saj për të drejtat dhe mirëqenien e grave mbeti i fuqishëm. E pyetur se nga buron ky përkushtim, Saneea shprehet: “Ndoshta thjesht sepse gratë trajtohen në mënyrë kaq të pabarabartë kudo në botë, sa unë ndjeva dëshirën të kontribuoj në çdo mënyrë që mundem. Unë vetë jam një grua e fuqizuar, me shumë privilegje falë arsimimit tim dhe vendit nga vij… ndaj ndjej se duhet të ndihmoj, nëse kam mundësi”.
Gjatë praktikës, Saneea ka kontribuar në disa fusha, përfshirë Programin Shëndetësor të RrGK-së, ku përvoja e saj ka rezultuar veçanërisht e vlefshme. Ndër të tjera, ajo është përfshirë në një nismë të re kërkimore që fokusohet në asistencën personale për personat me aftësi të kufizuara, ku ndër të tjera ka ofruar edhe një analizë ligjore. Ky hulumtim është pjesë e iniciativës së RrGK-së “Përmirësimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për të rritur qasjen në mbrojtje sociale cilësore për gratë dhe burrat e grupeve/profileve të ndryshme”, që zbatohet në bashkëpunim me dy organizata partnere dhe me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Hulumtimi shqyrton sfidat me të cilat përballen asistentët personalë – shumica prej tyre gra dhe shpesh anëtarë të familjes së personave me aftësi të kufizuara. Saneea vëren se, ndonëse sfida të ngjashme mund të ekzistojnë edhe në Kanada, atje individët mund të kenë mbrojtje më të garantuar nga shteti.
Përveç angazhimit në Programin Shëndetësor, Saneea ka kontribuar edhe në hulumtime të tjera ku shëndeti ndërthuret me çështje më të gjera sociale dhe mjedisore. Kjo përfshin punën në një studim mbi transportin, ku është përqendruar në ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin fizik, si dhe në mënyrën se si mungesa e infrastrukturës së qasshme ndikon negativisht në mirëqenien mendore. Ajo ka shqyrtuar gjithashtu sfidat në politikat shëndetësore, duke përfshirë arsyet pse disa ligje – si ato që lidhen me sigurimin shëndetësor – nuk zbatohen ende, edhe pse janë miratuar prej vitesh.
Përveç angazhimit në hulumtim dhe politika, Saneea ka dhënë kontribut edhe në përpjekjet për komunikim, duke përditësuar materialet për faqen e internetit të RrGK-së dhe fletët informative të programeve, si dhe duke shkruar tregime nga ngjarje të ndryshme, si Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe Festivali FemArt.
Kalimi në Kosovë nuk ishte i vështirë për Saneea-n, megjithatë i duhej pak kohë për t’u përshtatur me disa gjëra – veçanërisht me barrierën gjuhësore dhe, siç thotë me humor, “duhanpirjen kudo – por nuk e di nëse doni ta përfshini edhe këtë në shkrim.” Megjithatë, ajo e shijon shumë jetën në Prishtinë, sidomos gjallërinë dhe faktin që qyteti është i lehtë për t’u përshkuar në këmbë. Në vendlindje ajo jeton shumë larg qendrës së qytetit për të lëvizur në këmbë, kështu që ky ka qenë një ndryshim i këndshëm. Po ashtu, ka përfituar nga pozita gjeografike e Kosovës për të udhëtuar gjatë fundjavave, duke vizituar Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Shumica e udhëtimeve të saj janë përqendruar në ecje malore. Së shpejti vuri re se Kosova është ideale për ecje në natyrë, ndërsa Mali i Zi i ofroi ngjitjen më të gjatë që ka bërë ndonjëherë në jetën e saj.
Saneea e sheh kohën e saj në RrGK jo vetëm si një moment të rëndësishëm profesional, por edhe si pjesë të një ndryshimi më të gjerë, drejt një pune të fokusuar në një qëllim me kuptim. “Kosova padyshim është prapa në barazi dhe të drejtat e grave – apo edhe të drejtat në përgjithësi,” thotë ajo me sinqeritet. Megjithatë, ajo e përfundon këtë përvojë me një kuptim më të thellë të lëvizjes globale feministe dhe njerëzve që e fuqizojnë atë. Duke reflektuar mbi kohën e saj në RrGK, Saneea shpreh admirim për punën e palodhur dhe përkushtimin e organizatës, duke thënë: “Më bën të ndihem sikur OJQ-të janë ato që po bëjnë me të vërtetë punën që ka rëndësi.”
Teksa përgatitet të përfundojë studimet, Saneea ende po mendon për hapin e radhës. Ajo shpreson të kalojë nga puna klinike me kohë të plotë drejt një angazhimi më të drejtpërdrejtë në fushën e të drejtave të njeriut — ndoshta duke reduktuar orët në kujdesin paliativ dhe duke punuar me kohë të pjesshme në ndonjë organizatë tjetër, edhe në distancë. Saneea ka shprehur gjithashtu dëshirën për të vazhduar të mbështesë punën që ka ndihmuar të zhvillojë në RrGK, edhe pasi të rikthehet në Kanada.
Nëse dëshironi të kontribuoni në punën e RrGK-së, ne jemi gjithmonë në kërkim të vullnetarëve të përkushtuar me përvoja të ndryshme. Për të mësuar më shumë rreth Programit tonë të Vullnetarëve, ju lutem na kontaktoni në info@womensnetwork.org.
