Vënia e themeleve: “Gruaja Fermere” shtyn përpara edukimin seksual në shkollat e Rahovecit

Në Kosovë, edukimi seksual vazhdon të trajtohet në mënyrë të pamjaftueshme, i kushtëzuar nga tradita dhe normat shoqërore. Në shkolla kjo lëndë mbulohet shumë pak, derisa tekstet ofrojnë informacion të kufizuar që nuk është as gjithëpërfshirës e as i përshtatur me moshën dhe zhvillimin e nxënësve. Shumë të rinj hezitojnë t’u drejtohen mësimdhënësve dhe, në vend të kësaj, mbështeten në rrjetet sociale për informacion rreth shëndetit seksual dhe riprodhues.

OJQ “Gruaja Fermere”, me seli në Komunën e Rahovecit, është angazhuar për ta mbushur këtë boshllëk duke u dhënë të rinjve njohuritë e nevojshme për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Duke besuar se nxënësit meritojnë më shumë sesa thashetheme të pëshpëritura, organizata kishte për synim të ofrojë udhëzime të sakta dhe të përshtatura sipas moshës.

Nisma e tyre filloi me një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë Komunale të Arsimit. Gjashtë drejtorë të shkollave, së bashku me një psikolog dhe dy sociologë, i bashkuan forcat për të rishikuar mangësitë e teksteve shkollore dhe për të paraqitur një kërkesë që edukimi seksual të futet si lëndë mësimore në shkolla, të paktën një orë në javë. Menjëherë pas kësaj, dyzet mësimdhënës të biologjisë, edukatës qytetare, gjuhës, arteve dhe edukatës fizike morën pjesë në një trajnim të specializuar për mësimdhënie cilësore, të ndjeshme ndaj gjinisë. Nga trajnimi u kthyen jo vetëm me certifikata, por edhe me një përgjegjësi të re: të sjellin barazi dhe respekt në klasat e tyre, çdo ditë.

Më pas nisën edhe sesionet në klasë. Dhjetë sesione në shkollat e Rahovecit përfshinë 263 nxënës, 140 vajza dhe 123 djem të moshës 12 deri në 17 vjeç. Njëqind prej tyre morën udhëzime të posaçme për qasjen në shërbimet shëndetësore dhe mësuan për të drejtat e tyre. Sesionet trajtuan tema si shëndeti riprodhues, roli i familjes dhe komunitetit, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, dhe shtatzënia e paplanifikuar. Për shumë nxënës ishte hera e parë që këto tema lidheshin drejtpërdrejt me të ardhmen e tyre. Ligjëruesit i inkurajuan nxënësit t’i promovojnë këto biseda dhe praktika edhe brenda familjeve dhe komuniteteve të tyre. Vetëdija nisi të shndërrohet në veprim teksa nxënësit i bartën këto vlera më të shëndetshme në shtëpitë e tyre dhe tek bashkëmoshatarët.

Historia e organizatës “Gruaja Fermere” dëshmon se ndryshimi nis kur thyhet heshtja. Duke ndërthurur trajnimin e mësimdhënësve, angazhimin e nxënësve dhe bashkëpunimin institucional, ajo vuri themelet për progres të qëndrueshëm. Mësimdhënësit fituan vetëbesimin për ta integruar barazinë gjinore në klasa, nxënësit fituan njohuri thelbësore për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e tyre, ndërsa drejtuesit e shkollave u bashkuan për t’i përgatitur nxënësit e Rahovecit për një të ardhme më të shëndetshme e më të sigurt.

Megjithëse kërkesa që edukimi seksual të jetë lëndë e veçantë u refuzua më vonë, progres ka pasur edhe pas përfundimit të kësaj nisme. Edukimi seksual ende nuk është lëndë e veçantë, por është integruar në Biologji si një kapitull më vete dhe mësimdhënësit e trajnuar nga “Gruaja Fermere” raportohet se vazhdojnë të përdorin materialet e marra gjatë mbajtjes së orës mësimore.

Gjatë bisedës me RrGK, “Gruaja Fermere” është shprehur se nevoja që edukimi seksual të trajtohet në mënyrë më gjithëpërfshirëse në shkolla, ose nëse nuk miratohet, të organizohet jashtë shkollave, është ngritur si ide nga anëtarë të komunitetit edhe në kuadër të projekteve të tjera. “Une mendoj që në bazë të situatës në teren duhet vetëdijesim i prindërve për presion ndaj MASHT-it për futjen e lëndës për Edukimin seksual në shkolla”, thotë Muradije Shehu, Koordinatore e Projektit në organizatën “Gruaja Fermere”. “Gjate trajnimit me mësimdhënës kanë treguar se është nevoja shumë e madhe për këto njohuri tek fëmijët”.

Nisma e OJQ “Gruaja Fermere”, “Edukimi seksual i përshtatur sipas moshës dhe zhvillimit”, u realizua me mbështetjen e Rrjetit të Grave të Kosovës përmes Fondit të Grave të Kosovës, me financim nga Agjencia Austriake për Zhvillim, bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, në vlerë prej 3,705€, nga tetori i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022. Kjo nismë kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGK-së “Edukimi që transformon normat gjinore”.