Nga data 22 deri më 25 shtator 2025, Rrjeti i Grave të Kosovës (KWN) organizoi punëtorinë e dytë në serinë e punëtorive të dizajnuara për të mbështetur mirëqenien emocionale dhe profesionale të stafit të strehimoreve dhe ofruesve të shërbimeve që punojnë me të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës seksuale gjatë luftës.
Ashtu si në punëtorinë e mëparshme, psikologet klinike Melis Bilibani dhe Tringa Lajqi udhëhoqën sesione mbi njohjen dhe parandalimin e djegies profesionale (burnout), forcimin e qëndrueshmërisë së ekipit, praktikimin e mbikëqyrjes klinike dhe kolegiale, si dhe vendosjen e kufijve të shëndetshëm emocionalë në vendin e punës.
Sesionet u ofruan pjesëmarrëseve një hapësirë të sigurt për të ndarë përvoja dhe për të reflektuar mbi sfidat emocionale të punës së tyre, duke fituar njëkohësisht strategji praktike për kujdesin ndaj vetes dhe menaxhimin e stresit.
“Gjatë këtij trajnimi kam marrë njohuri shtesë profesionale dhe gjithashtu kuptova rëndësinë dhe rolin human të punonjësve të qendrave strehimore. Jam shumë e nderuar dhe ndihem mirë që jam pjesë e këtij eventi,” – tha Mimozë Sopaj, Psikologe në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Pjesëmarrëset e mirëpritën ngrohtësisht punëtorinë, duke theksuar se ajo forcoi aftësitë e tyre dhe rinovoi përkushtimin për të mbështetur të mbijetuarat.
“Aktivistet feministe dhe stafi i strehimoreve japin shumë nga vetja për të ndihmuar të tjerët, shpesh duke sakrifikuar mirëqenien e tyre. Këto punëtori rikuperuese janë një mundësi për t’u çlodhur, reflektuar dhe rifreskuar — që të mund të vazhdojnë punën e tyre të rëndësishme.”, tha Adelina Berisha, drejtore e programit për adresim të DhBGj, në RrGK.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Iniciativës për Institucionalizimin e Shërbimeve Kualitative për Rehabilitim dhe Integrim për të Mbijetuarat e Dhunës, e financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), me fonde nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.