Një numër shqetësues nxënësish në Kosovë përjetojnë sulme apo ngacmime seksuale, duke filluar t’i shohin ato si pjesë të zakonshme të jetës së përditshme. Për shumë vajza, cenimi i dinjitetit nis që në moshë të re, shpesh përmes ngacmimeve verbale në rrugë. Edhe pse këto sjellje janë të dukshme, rrallëherë sfidohen. Në shkolla mungojnë programet që trajtojnë edukatën seksuale, ngacmimin seksual, parandalimin apo trajtimin e tij, si edhe dhunën seksuale. Në familje, këto tema shpesh mbeten tabu dhe nuk diskutohen.
E vendosur të adresojë këtë problem, organizata joqeveritare Gruaja Hyjnore ndërmori hapa për të ngritur ndërgjegjësimin mbi ngacmimin dhe dhunën seksuale, si brenda ashtu edhe jashtë shkollave, duke inkurajuar njëkohësisht prindërit të thyejnë heshtjen dhe të flasin hapur me fëmijët e tyre.
Nisma e Gruaja Hyjnore u zbatua përmes një sërë aktivitetesh të përqendruara, duke filluar me sesione hyrëse për 60 prindër dhe mësues mbi rëndësinë e integrimit të edukatës seksuale në kurrikulat shkollore dhe avokimin për caktimin e një personi përgjegjës në shkollë për raportimin e rasteve të ngacmimit. Gjatë sesioneve u theksua roli kyç i prindërve në mbështetjen e fëmijëve të tyre, përfshirë diskutimin e hapur të temave të ndjeshme, ofrimin e mbështetjes emocionale dhe raportimin në kohë të rasteve, me qëllim që heshtja të mos lejojë vazhdimin e ngacmimeve apo abuzimeve. Pothuajse të gjithë prindërit pjesëmarrës u pajtuan se edukata seksuale duhet të përfshihet në kurrikulën shkollore, duke theksuar se fëmijët duhet të marrin informacion të saktë dhe të besueshëm nga profesionistët, në vend që ta kërkojnë vetë nga burime të ndryshme e jo gjithmonë të sigurta.
Më pas, iniciativa kaloi nëpër klasa, ku u mbajtën 11 punëtori ndërgjegjësuese në nëntë shkolla të komunës së Gjilanit, duke përfshirë gjithsej 401 nxënës. Punëtoritë trajtuan temat e ngacmimit seksual, pubertetit, ndryshimeve trupore dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Ligjëruesit nga Gruaja Hyjnore vërejtën se shumica e nxënësve kishin njohuri shumë të kufizuara për seksualitetin dhe zhvillimin biologjik. Megjithëse këto tema përfshihen në lëndët e biologjisë dhe psikologjisë, nxënësit raportuan se shpesh anashkalohen ose u lihen për vetëstudim. Ligjëruesit vunë re gjithashtu se normat kulturore e shoqërore ndikojnë ndjeshëm në gatishmërinë e nxënësve për të diskutuar këto çështje, me një hapje më të madhe në shkollat urbane sesa në ato rurale.
Përveç sesioneve me mësues, prindër dhe nxënës, Gruaja Hyjnore realizoi edhe një fushatë në rrjete sociale për promovimin e edukatës seksuale, e cila arriti gati 70,000 persona në Gjilan dhe fshatrat përreth.
Nisma u përmbyll me një tryezë të rrumbullakët që bashkoi institucione, prindër dhe të rinj, duke theksuar rëndësinë e edukatës seksuale, përfshirjes prindërore dhe parandalimit të hershëm. Pjesëmarrësit e vlerësuan lart kontributin e Gruaja Hyjnore në ngritjen e vetëdijes për këto tema, veçanërisht për ngacmimin seksual, duke theksuar se edukata seksuale duhet të trajtojë jo vetëm shëndetin seksual, por edhe ngacmimin dhe abuzimin.
Hap pas hapi, heshtja nisi të zëvendësohej me dialog, dhe tabutë filluan të thyhen. Ajo që dikur ishte e pathënshme, tani u bë përgjegjësi e përbashkët. Iniciativa e Gruaja Hyjnore nisi ta shndërrojë heshtjen në dialog, duke e zëvendësuar stigmatizimin me njohuri dhe mbrojtje.
Nisma e Gruaja Hyjnore “Edukata seksuale si lëndë mësimore në shkolla fillore dhe të mesme” u realizua me mbështetje nga Fondi i Grave të Kosovës (KWF) i Rrjetit të Grave të Kosovës (KWN), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), në shumën prej 4,975 euro, nga tetori 2021 deri në maj 2022. Nisma kontribuoi drejtpërdrejt në programin e KWN-së “Edukimi që transformon normat gjinore”.
