Nga dyer të mbyllura në biseda të hapura: Ndërgjegjësimi i komuniteteve serbe për GBV dhe TFGBV

Për shumë gra dhe familje brenda komuniteteve serbe në të gjithë Kosoven, diskutimi i dhunës mbetet një sfidë e madhe. Frika, presioni shoqëror dhe heshtja e gjatë shpesh i pengojnë individët të kërkojnë informacion, të bëjnë pyetje ose të qasen në shërbime mbështetëse. Këto barriera janë veçanërisht të theksuara në zonat rurale, ku qasja e kufizuar në informacione mbi të drejtat, sigurinë dhe rreziqet digjitale ka kontribuar në izolim dhe cenueshmëri.

Ky realitet filloi të ndryshojë kur dialogu u iniciua përmes angazhimit të drejtëpërdrejtë, ballë për ballë, në shtëpitë e vetë komunitetit.

Përmes angazhimit intensiv derë më derë, Zenski Inkluzivni Centar (ŽEC) përfshiu gra, burra dhe familje që rrallë ose asnjëherë më parë nuk kishin qenë pjesë e diskutimeve mbi dhunën me bazë gjinore (GBV) dhe dhunën me bazë gjinore të lehtësuar nga teknologjia (TFGBV). Këto vizita krijuan hapësira të sigurta, respektuese dhe kulturalisht të ndjeshme, duke u mundësuar anëtarëve të komunitetit të flasin hapur, për përvojat, shqetësimet dhe rreziqet që lidhen me dhunën.

Për shumë gra, marrja e informatave mbi mekanizmat e mbrojtjës solli si qetësi ashtu edhe një ndjenjë të ripërtirë të vetëbesimit. Siç shpjegoi një nënë vetushqyese nga Shtërpca:

“Tani e di kujt mund t’i drejtohem dhe si ta mbroj vetën dhe fëmijen tim.”

Një pjesëmarrëse tjetër theksoi se si qasja në informacion ndikoi në gatishmërinë e saj për të reaguar ndaj dhunës:

“Informacionet që mora më dhanë guximin të reagoj nëse dhuna përsëritet.”

Pjesëmarrësit nga zonat rurale theksuan se vetë qasja u pa si e domosdoshme, sepse adresonte pengesat strukturore dhe shoqërore në qasjen e grave ndaj informatave. Një grua theksoi:

“Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të edukuar gratë në zonat rurale lidhur me dhunën digjitale dhe dhunën në përgjithësi. Për shkak të barrierave gjeografike, gratë shpesh janë të privuara nga edukimi në këtë fushë, veçanerisht pasi ende mbizotëron patriarkati.”

Edhe burrat raportuan ndryshime të rëndësishme në kendvështrim si rezultat i diskutimeve. Një pjesëmarrës 30 vjeçar nga Brezovica reflektoi:

“Si burrë, deri tani nuk e kisha menduar se sa te ekspozuara janë gratë ndaj dhunës në rrjetet sociale. Çdo fotografi që publikojnë mund të bëhet shkak për komente fyese, si nga burrat ashtu edhe nga gratë e tjera.”

Për disa pjesëmarrës, vetë përvoja e të qenit të qasur dhe të përfshirë në këto biseda ishte domethënëse në vetvete. Një grua ndau përvojën e saj:

“Për herë të parë dikush ka ardhur të flasë me mua për këtë temë, ndaj as nuk di si të reagoj.”

Përmes dialogut respektues, ndjeshmërisë kulturore dhe pranisë së vazhdueshme në komunitet, ky angazhim ndihmoi në thyerjen e heshtjes, ndërtimin e besimit dhe pajisjen e individëve me njohuri që mbështesin vendimmarrje më të sigurta dhe reagime më të informuara ndaj dhunës.

ŽEC ka përfunduar me sukses iniciativën “Addressing Gender-based Violence in Serbian Neighborhoods”, duke kontribuar në fuqizimin dhe mbështetjen e grave, vajzave, burrave dhe djemve të komunitetit serb në te gjithe Kosoven, me fokus te veçantë në zonat veriore dhe rurale, në parandalimin dhe adresimin e GBV dhe TFGBV.

Përmes angazhimit intensiv derë më derë, u arritën gjithsej 3,054 persona, përfshirë 2,087 persona nga zonat rurale dhe 38 persona me aftësi të kufizuara, në komunat e Novoberdes, Gracanices, Mitrovices se Veriut, Zvecanit, Parteshit/Pasjanit, Gjilanit, Ranillugut, Shterpces, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Këto ndërveprime krijuan hapësira të sigurta për dialog, rritje të ndërgjegjësimit dhe forcim të besimit. U shpërndanë fletëpalosje dhe materiale edukative në gjuhët shqipe, serbe, boshnjake dhe rome, duke siguruar që informacionet mbi GBV dhe TFGBV të jenë të kuptueshme dhe te qasshme, veçanërisht për grupet më të margjinalizuara.

Përveç aktiviteteve në terren, iniciativa pati ndikim te konsiderueshëm edhe në hapësirën digjitale. Publikimet online lidhur me iniciativën arritën 202,000 shikime, duke kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit mbi dhunën digjitale dhe duke nxitur gatishmëri më të madhe për të kërkuar informacion dhe mbështetje.

Iniciativa u zbatua nga ŽEC në kuadër të projektit të zbatuar nga East-West Management Institute (EWMI) dhe Rrjeti i Grave të Kosoves (RrGK), duke ilustruar se bashkepunimi strategjik mund të nxisë ndryshime kuptimplota dhe të qëndrueshme brenda komuniteteve në Kosove.