Jo më qasje të mohuar: Gratë në Skenderaj avokojnë për kujdes cilësor gjinekologjik

Për gratë dhe vajzat në Komunën e Skenderajt, qasja në shërbime bazike gjinekologjike mbetet një sfidë e përditshme. Pavarësisht ekzistimit të repartit të maternitetit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), mungesa e një gjinekologu ka lënë shumë gra pa kujdes thelbësor për shëndetin riprodhues. Si pasojë, kontrollet rutinore, konsultat dhe vizitat parandaluese shpesh kërkojnë udhëtim drejt Mitrovicës apo Prishtinës, një mundësi që për shumë gra është e papërballueshme financiarisht dhe emocionalisht.

Për t’iu përgjigjur kësaj mungese, OJQ Drugëza ka zbatuar një iniciativë, me qëllim rritjen e vetëdijesimit, dokumentimin e barrierave dhe forcimin e avokimit për shërbime gjinekologjike të qasshme në Skenderaj. Projekti është fokusuar në fuqizimin e grave për të njohur të drejtat e tyre, për të shprehur shqetësimet dhe për t’u angazhuar drejtpërdrejt me institucionet lokale.

Dëgjimi i përvojave të grave

Në qendër të kësaj iniciative ishte dëgjimi i zërit të grave. Përmes dy fokus grupeve, një me gra të moshës 35–60 vjeç dhe një me vajza dhe gra të reja të moshës 16–35 vjeç, si dhe përmes 50 pyetësorëve të realizuar kryesisht në zonat rurale, Drugëza ka mbledhur dëshmi të drejtpërdrejta për realitetin me të cilin përballen gratë kur kërkojnë shërbime gjinekologjike. Pjesëmarrëset përshkruan kontrolle shumë të rralla ose mungesë totale të tyre, barriera ekonomike dhe përvoja dekurajuese në institucionet publike shëndetësore.

Disa gra raportuan se ishin orientuar drejt klinikave private ose ishin trajtuar në mënyrë jo të hijshme, ndërsa të tjera theksuan se shpenzimet për transport, kontrolla dhe barna i pengojnë të kryejnë vizita të rregullta. Këto gjetje konfirmuan se mungesa e gjinekologut në Skenderaj ndikon drejtpërdrejt në kujdesin që gratë i kushtojnë shëndetit të tyre riprodhues.

Informimi si mjet fuqizimi

Drugëza ka organizuar pesë sesione informuese me gjinekologen Lindita Ibrahimi Veliu në Skenderaj, Runik, Vojnik dhe Kryshefc. Në total, 96 gra dhe vajza morën pjesë në këto sesione, ku u informuan për rëndësinë e kontrolleve të rregullta gjinekologjike, për shëndetin seksual dhe riprodhues, si dhe për mekanizmat e raportimit të shkeljeve të të drejtave.

Për shumë pjesëmarrëse, ishte hera e parë që kuptonin se refuzimi i shërbimit apo trajtimi i papërshtatshëm mund të adresohej institucionalisht. Dy gra nga fshati Kryshefc, të cilat kishin përjetuar trajtim jo të duhur gjatë kërkimit të shërbimeve, u asistuan dhe u referuan në Zyrën për Ndihmë Juridike Falas në Komunën e Skenderajt, ku rastet e tyre u morën në shqyrtim.

“Se pasna ditë që mundemi me u anku dikun për kto fjalë të rënda që po na i thonë doktorët”, u shpreh njëra nga pjesëmarrëset, duke dëshmuar se informimi ndryshon mënyrën se si gratë e perceptojnë të drejtën e tyre për trajtim dinjitoz. “U dashtë me shku me lindë në Mitrovicë, e deri kemi shku kam lindë në ambulancë”, një grua tjetër kujtoi, duke përshkruar distancat e gjata që shumë gra duhet të përshkojnë për të pasur qasje në kujdesin bazë për nënat.

Përfshirja e institucioneve në diskutim

Drugëza e ka plotësuar punën me komunitetin me avokim të drejtpërdrejtë institucional. Janë mbajtur tri takime me Drejtoren e Shëndetësisë në Komunën e Skenderajt, përfshirë një takim ku morën pjesë 20 gra nga zona të ndryshme të komunës. Këto takime krijuan hapësirë që gratë të shprehin drejtpërdrejt shqetësimet e tyre dhe të prezantojnë gjetjet e hulumtimit.

Në takimin e fundit, u prezantuan të dhëna që tregonin përdorim të ulët të shërbimeve gjinekologjike dhe arsyet strukturore pas kësaj situate. Drejtorja e Shëndetësisë shprehu gatishmëri për të shqyrtuar mundësitë ligjore për ndarjen e mjeteve buxhetore me qëllim angazhimin e një gjinekologu, qoftë edhe në orar të shkurtuar, për të përmirësuar qasjen e grave dhe vajzave në këtë shërbim.

Vetëdijesim përtej takimeve

Për të zgjeruar ndikimin, Drugëza gjithashtu publikoi pesë grafika me gjetjet kryesore të hulumtimit në rrjetet sociale. Këto publikime arritën mbi 8,300 persona dhe gjeneruan më shumë se 26,000 përshtypje, duke rritur ndërgjegjësimin publik për gjendjen e shërbimeve gjinekologjike në Skenderaj dhe nevojën për përmirësim.

Një hap drejt ndryshimit të qëndrueshëm

Deri në përfundim të projektit, 126 gra dhe vajza përfituan drejtpërdrejt nga aktivitetet, ndërsa mijëra të tjera u informuan përmes publikimeve online. Gratë pjesëmarrëse u bënë më të vetëdijshme për të drejtat e tyre, më të sigurta për të adresuar shkeljet dhe më aktive në avokim për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Njëkohësisht, zyrtarët komunalë dhe përfaqësuesit e sistemit shëndetësor u njohën më qartë me barrierat reale që përballen gratë në terren.

Iniciativa e Drugëzës dëshmoi se kur gratë informohen, organizohen dhe mbështeten, ato mund të shndërrojnë sfidat individuale në avokim kolektiv. Edhe pse çështja e qasjes në shërbime gjinekologjike në Skenderaj ende mbetet sfidë, ky projekt shënoi një hap të rëndësishëm drejt rritjes së llogaridhënies, ndërgjegjësimit dhe dialogut institucional.

Nisma e OJQ-së Drugëza “Rritja e qasjes së grave në kujdes shëndetësor cilësor“ u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK), i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), me shumën pre €5,000, nga qershori 2023 deri nëntor 2023. Iniciativa kontribuoi drejtperdrejt ne Programin e RrGK-së “E drejta për shëndet”.