Mbrojtja efektive fillon me solidaritet: Ministria dhe strehimoret bashkëpunojnë për përmirësimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje

Më 16 dhe 17 korrik 2026, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), së bashku me disa nga organizatat anëtare të tij, përfshirë shumicën e strehimoreve, iu bashkuan Departamentit për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare në kuadër të Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, në Hotel Brezovica, për të diskutuar strategjitë për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për viktimat e dhunës në familje.

Në fjalën e tij hyrëse, Blerim Shabani, Drejtor i Departamentit për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, tha se qëllimi i punëtorisë ishte që pjesëmarrësit të reflektonin së bashku mbi sfidat dhe të identifikonin zgjidhje praktike. Ai foli për përgjegjësitë institucionale, licencimin, standardet e shërbimeve, strehimin e fëmijëve përmes referimit dhe përmirësimin e bashkëpunimit.

Adile Shaqiri, Udhëheqëse e Divizionit për Shërbime Sociale, prezantoi standardet e shërbimeve që duhet të përmbushin strehimoret. Ajo theksoi se standardet nuk janë vetëm kërkesa ligjore, por edhe mjete për të garantuar që shërbimet të jenë të sigurta, profesionale dhe të përqendruara te viktimat. Shaqiri theksoi se të gjithë punonjësit/et, jo vetëm menaxhmenti, duhet të jenë të familjarizuar me dokumentet, rregulloret dhe procedurat e brendshme.

RrGK-ja dhe pjesëmarrësit/et shprehën gatishmërinë për ta mbështetur njëra-tjetrën, sipas nevojës, në hartimin ose përmirësimin e politikave, manualeve dhe dokumenteve të nevojshme.

Nicole Farnsworth nga RrGK-ja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të RrGK-së dhe anëtareve të saj me Ministrinë, si partnere kyçe në mbrojtjen e viktimave. Ajo nënvizoi se financimi shtetëror duhet të bazohet në kostot reale të mbështetjes së viktimave dhe të ofrimit të shërbimeve cilësore, në përputhje me Konventën e Stambollit. Ajo tha se buxheti duhet të hartohet çdo vit në bashkëpunim me Ministrinë, duke marrë parasysh numrin e rasteve dhe kostot reale të shërbimeve cilësore, në përputhje me kërkesat e Kosovës për buxhetim të përgjegjshëm gjinor.

Për ta lehtësuar këtë proces, Era Kadriu dhe Farnsworth prezantuan parashikimet buxhetore për periudhën 2027–2029, të hartuara së bashku me strehimoret. Këto parashikime synojnë të informojnë planifikimin buxhetor të Ministrisë dhe metodologjinë e ardhshme të buxhetimit, e cila aktualisht është duke u diskutuar. Gjetjet u diskutuan me përfaqësueset e strehimoreve dhe të Ministrisë.

Pjesëmarrëset diskutuan gjithashtu raste konkrete nga puna e tyre, duke përfshirë situata komplekse për të cilat nuk ekzistojnë procedura të qarta. Vëmendje e veçantë iu kushtua fëmijëve përfitues/e dhe strategjive për menaxhimin e rasteve komplekse.

Po ashtu, u diskutua nevoja për standardizimin e mbledhjes, përpunimit dhe ruajtjes së të dhënave. Ministria njoftoi se është duke zhvilluar një sistem të integruar, i cili do të mbështesë planifikimin, adresimin më të mirë të nevojave të viktimave dhe buxhetimin.

Mungesa e shërbimeve të specializuara të strehimit për personat LGBTIQ+ u ngrit gjithashtu si çështje që kërkon vëmendje institucionale.

Në fund, pjesëmarrëset ndanë nga një fjalë që përshkruante ndjenjën me të cilën po largoheshin nga punëtoria. Të bashkuara, fjalët e tyre formuan këtë mesazh:

“Dashuria dhe durimi për të gjitha përfitueset tona dhe për secilën prej nesh e përmirësojnë cilësinë e shërbimeve, sepse së bashku jemi më të forta.”

Ky mesazh përmblodhi frymën e punëtorisë: solidariteti, mbështetja e ndërsjellë dhe përkushtimi i përbashkët mund të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që u ofrohen viktimave të dhunës në familje.

Këto diskutime të frytshme u mbështetën nga Partneritetet Ndërkombëtare të Austrisë.