Konsultimet publike u ofrojnë qytetarëve/eve dhe organizatave të shoqërisë civile një mundësi të rëndësishme për të kontribuar në vendimmarrjen lokale dhe për të avokuar që prioritetet e tyre të përfshihen në planet, politikat dhe buxhetet komunale. Vendimet e marra në nivel komunal ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve/eve, përfshirë qasjen e tyre në kujdesin shëndetësor, arsim, shërbime sociale, mundësi punësimi, infrastrukturë dhe programe mbështetëse.
Pjesëmarrja kuptimplotë në këto konsultime mund të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, duke u mundësuar qytetarëve/eve dhe organizatave të shoqërisë civile t’ua komunikojnë nevojat drejtpërdrejt përfaqësuesve/eve komunalë/e dhe të kërkojnë përgjigje konkrete.
Organizatat për të drejtat e grave luajnë rol thelbësor në këto procese. Përmes punës së tyre të përditshme me gra, vajza, persona me aftësi të kufizuara, komunitete pakicë, popullsi rurale dhe grupe të tjera, ato kanë njohuri të drejtpërdrejta për sfidat me të cilat përballen këto komunitete. Pjesëmarrja e tyre ndihmon që të adresohen perspektiva dhe prioritete të cilat, në të kundërtën, mund të anashkalohen gjatë planifikimit dhe buxhetimit komunal.
Duke njohur rëndësinë e tyre, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me organizatat anëtare, duke ndarë informata për konsultimet lidhur me buxhetet komunale, buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, kujdesin shëndetësor, arsimin, shërbimet sociale, komunitetet rurale, si dhe të drejtat dhe nevojat e komuniteteve në situata të cenueshme ose të margjinalizuara. RrGK i ka inkurajuar anëtaret të marrin pjesë, të adresojnë çështje që lidhen me punën e tyre dhe të konsultohen paraprakisht me përfituesit/et dhe pjesëtarët/et e komuniteteve për të identifikuar sfidat dhe nevojat prioritare. Në këtë mënyrë, kontributet e anëtareve pasqyrojnë përvojat e jetuara të komuniteteve që ato përfaqësojnë dhe mbështeten në rekomandime konkrete dhe të bazuara në dëshmi.
Pas inkurajimit nga RrGK për pjesëmarrje në dëgjimet buxhetore komunale, RrGK ka vazhduar komunikimin me organizatën e saj anëtare, Shoqatën e Grave “Fatjona”. Organizata shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë në dëgjimin buxhetor me organizatat e shoqërisë civile dhe Zyrën Komunale për Barazi Gjinore, të mbajtur më 28 korrik 2026 në Sallën e Kuvendit Komunal në Malishevë.
Para dëgjimit, drejtorja e organizatës, Fatime Limaj, u takua me gratë përfituese për të diskutuar shqetësimet dhe nevojat e tyre, duke u siguruar që perspektivat e tyre të përfaqësoheshin gjatë diskutimit për buxhetin komunal. Më pas, gjashtë gra morën pjesë së bashku në dëgjim, ku u informuan për planet e komunës për vitet e ardhshme dhe paraqitën disa kërkesa të komunitetit të tyre.
Ndër çështjet e adresuara ishin vështirësitë në furnizimin me ujë në disa lagje të Banjës së Malishevës. Përfaqësuesit/et komunalë/e deklaruan se ishte arritur një marrëveshje për ndërtimin e një rezervuari më të madh të ujit, i cili do t’i furnizonte edhe këto lagje. Gratë ngritën gjithashtu shqetësimin për ndriçimin publik të dëmtuar dhe morën zotimin se ai do të rregullohej.
Përveç kësaj, ato avokuan për sigurimin e një hapësire ku gratë do të mund të shisnin pemë, perime dhe produkte artizanale. Edhe pse u informuan se sigurimi i një hapësire të tillë nuk ishte i mundur për momentin, ato propozuan krijimin e një pike grumbulluese për produktet vendore. Ato u këshilluan të parashtronin një kërkesë me shkrim, të mbështetur dhe nënshkruar nga disa qytetarë/e të komunës. Zyrtarja Komunale për Barazi Gjinore i mbështeti në hartimin, protokollimin dhe dorëzimin e kërkesës.
Menaxherja e Programit në RrGK, Drita Sylejmani, gjithashtu mori pjesë në diskutimin publik për planifikimin buxhetor për arsimin në Komunën e Prishtinës. Ajo avokoi për rritjen e financimit për shërbimet e kujdesit ndaj fëmijëve dhe edukimit të hershëm, angazhimin e më shumë psikologëve/eve në shkolla dhe asistentëve/eve personalë/e për fëmijët me aftësi të kufizuara, përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe sigurimin e qasjes për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe përfshirjen e pecetave higjienike në furnizimet higjienike të shkollave. Këto masa synojnë forcimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe të përgjegjshëm gjinor, si dhe mbështetjen e mirëqenies dhe pjesëmarrjes së barabartë të të gjithë fëmijëve.
RrGK do të vazhdojë t’i informojë dhe inkurajojë organizatat anëtare që të marrin pjesë në konsultimet publike dhe t’i shfrytëzojnë këto procese për të avokuar për vendimmarrje komunale më gjithëpërfshirëse, të përgjegjshme gjinore dhe të bazuar në nevojat e komuniteteve.