Për gratë që kanë përjetuar dhunë në familje, largimi nga marrëdhënia abuzuese shpesh është vetëm hapi i parë drejt një jete të sigurt dhe të pavarur. Përfundimi ligjor i martesës mund të kërkojë mbështetje juridike, veçanërisht kur gruaja përballet me kufizime financiare dhe pasiguri lidhur me procedurat gjyqësore.
Një rast i tillë u trajtua nga Qendra për Ndihmë Juridike e Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD), e cila ofroi mbështetje juridike për një të mbijetuar të dhunës psikologjike dhe fizike nga bashkëshorti. Pas raportimit të rastit në Polici, e mbijetuara ishte larguar nga banesa e përbashkët dhe kishte kërkuar të formalizonte ligjërisht përfundimin e martesës.
Deri në momentin kur iu drejtua QNJ-IKD-së, procedura e shkurorëzimit nuk kishte filluar. Duke marrë parasysh nevojën e saj për mbështetje juridike, kufizimet financiare dhe nevojën për të udhëtuar jashtë vendit, QNJ-IKD e mbështeti gjatë gjithë procesit të inicimit dhe ndjekjes së procedurës.
Fillimisht, QNJ-IKD përpiloi padinë për shkurorëzim dhe e dorëzoi në gjykatë. Për të shmangur vonesat dhe për të mundësuar që procedura të ndiqej në kohë, organizata kërkoi nga gjykata informacion lidhur me caktimin e seancës përgatitore. Gjatë procedurës, të mbijetuarës iu sigurua edhe përfaqësim juridik përmes caktimit të një avokateje, e cila e asistoi në vazhdim të procesit. Pas mbajtjes së seancës përkatëse, procedura e shkurorëzimit përfundoi.
Përmes kësaj mbështetjeje, e mbijetuara arriti të përfundonte ligjërisht martesën pa kosto për shërbimet juridike dhe me orientim dhe përfaqësim gjatë procedurës gjyqësore. Për të, përfundimi i shkurorëzimit nënkuptonte mbylljen e një procesi të rëndësishëm juridik pas largimit nga një marrëdhënie e dhunshme dhe mundësinë për të vazhduar jetën e saj të ndarë nga ish-bashkëshorti.
Rasti tregon rëndësinë e ndihmës juridike të qasshme për të mbijetuarat e dhunës, veçanërisht kur ato përballen me pengesa financiare ose procedurale. Përmes përgatitjes së dokumentacionit, komunikimit me gjykatën, përfaqësimit dhe orientimit të vazhdueshëm, QNJ-IKD i mundësoi të mbijetuarës të ndiqte dhe të përfundonte procedurën e shkurorëzimit në mënyrë të strukturuar dhe me mbështetje juridike.
Ky aktivitet u realizua në partneritet të ngushtë ndërmjet Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e East West Management Institute (EWMI)
