Aktivistet e RrGK-së ndajnë përvojën e Kosovës me Rezolutën 1325 mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Këtë fundjavë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu dhe ekipi i saj kanë mbledhur më shumë se 500 liderë/e nga Kosova dhe bota në Forumin e Grave, Paqes dhe Sigurisë në Prishtinë.

Në mesin e këtyre personaliteteve të shquara, aktivistja kosovare për të drejtat e grave nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova, foli në një panel të nivelit të lartë mbi “22 vite pas 1325: Çka (nuk)kemi arritur?”.

Ne aktivistet nuk japim fjalime ne tregojmë storie…

Ajo vazhdoi të ndante historinë e lidershipit të grave dhe aktivizmit të paqes në Kosovë gjatë viteve 1990.

“Ne nuk mbajtëm armë, por sollëm bukë,” shpjegoi ajo, duke kujtuar Marshin për Bukën që synonte të thyente në mënyrë paqësore rrethimin e Drenicës nga Serbia. Kjo ishte një nga disa protesta masive paqësore që gratë organizuan, në një përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj shtypjes serbe nën regjimin e Millosheviqit dhe për të bërë thirrje për paqe.

Kur Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) erdhi për të administruar Kosovën pas luftës, ajo tha se aktivistët ishin të emocionuar dhe shpresonin se UNMIK-u do të sillte me vete mbrojtje për të drejtat e njeriut, si dhe Rezolutën e miratuar së fundmi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e cila do të siguronte pjesëmarrjen e grave në proceset e shtetndërtimit dhe paqes në Kosovë.

“Do të doja të mos ishim emocionuar kaq shumë,” tha Rogova. Sepse në vend që të siguronte përfshirjen e grave, UNMIK-u i injoroi gratë lidere. “Por ne përdorëm menjëherë Rezolutën 1325 për t’u dëgjuar!”

Edhe kur delegacionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së vizituan Kosovën (“me 12 burra dhe një grua”), agjendat e tyre fillimisht nuk përfshinin konsultime me ndonjë grua nga politika apo shoqëria civile, kujton Rogova. “Ne përdorëm Rezolutën për të nxitur që ata të na përfshijnë neve në agjendë,” tha ajo. Edhe pas kësaj, ata takuan vetëm gra udhëheqëse natën vonë, dhe kërkuan të flisnin për “dhunën ndaj grave” dhe “çështjet e grave”. Si përgjigje, aktivistet e të drejtave të grave cituan Rezolutën 1325, duke kërkuar që ato të kishin të drejtë të flisnin edhe për çështje politike. Në mënyrë tronditëse, delegacioni tha se ata tashmë kanë folur me liderët (burra) të partive politike për çështje politike. Gratë aktiviste cituan Rezolutën 1325, duke kërkuar të drejtën e tyre për të folur për politikën.

Rogova ndau gjithashtu histori të ndërtimit të paqes në mesin e grave në Kosovë dhe Serbi. Në vitin 2006, aktivistet e Rrjetit Gratë në të Zeza nga Serbia kërkuan falje për “krimet e kryera në emër të tyre” nga qeveria serbe. Kjo ishte falja e parë publike që iu bë ndonjëherë shqiptarëve të Kosovës, e cila u transmetua në media (RTV21), duke prekur thellë mijëra njerëz. “Për dy orë askush nuk ka mundur të flas, ne vetëm kemi qajtur” kujton Rogova. “Ne kishim nevojë për atë kohë dhe hapësirë për t’u shëruar.”

Më pas, së bashku ata formuan Koalicionin e Grave për Paqe, duke shkruar letra të përbashkëta paralelisht me negociatat e udhëhequra nga Ahtisaari ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku gratë edhe një herë ishin përjashtuar por ato së bashku bënë të dëgjohet zëri i grave kosovare dhe serbe.

Rogova theksoi se Kosova ka disa gra lidere që kanë punuar për paqe dhe siguri që nga vitet 1990, duke përfshirë Edita Tahirin, Afёrdita Saraçini-Kelmendin, Edi Shukriun, Flora Brovinan, Igballe Rogovan, Melihate Termkollin, Luljeta Pulan, Naxhije Buçincën, Safete Rogovën, Sevdije Ahmetin, Vjosa Dobrunën dhe Xheraldina Vulën.

Shumë prej tyre, ndër të tjera, themeluan Lobin e Grave të Kosovës për të kërkuar pjesëmarrjen e grave në politikë dhe vendimmarrje në Kosovën e pasluftës, duke përfshirë edhe Argjentina Grazhdanin, Arjeta Rexhaj, Belgjyzare Muharreënmin, Fetije Kёpuskën, Flora Maculën, Igballe Rexha-Jasharin, Kaqusha Jasharin, Luljeta Vuniqin, Minire Zunë, Mirlinda Kusarin, Sala Ahmetin, Sebahate Grajqevcin, Valbona Salihun dhe Vjnosa Nimani (siç dokumentohet në librin “Histori është edhe tregimi i saj” nga Qendra Kosovare e Studimeve Gjinore). Ajo theksoi se edhe burrat kanë qenë aleatë në zbatimin e mëtejshëm të Rezolutës, veçanërisht Behar Selimi dhe Besim M. Kajtazi.

Disa aktiviste të tjera për të drejtat e grave që përfaqësojnë organizatat anëtare të RrGK-së po marrin pjesë në Forum, duke ndarë përvojat e tyre për të kontribuar në zbatimin e Rezolutës 1325, duke përfshirë: Ariana Qosaj-Mustafa; Feride Rushiti, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare të Rehabilitimit për Viktimat e Torturës; Luljeta Demolli, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore; Tijana Simic LaValley nga organizata për të drejtat e grave; dhe Zana Hoxha, Drejtoreshë Ekzekutive e Artpolis.

Aktivistet e Kosovës për të drejtat e grave kanë njohuri dhe përvojë të gjerë mbi Rezolutën 1325 dhe avancimin e zbatimit të saj. Në ndarjen e përvojave tona, ne shpresojmë të ndajmë mësimet e nxjerra, praktikat më të mira dhe strategjitë që aktivistet e tjera për të drejtat e grave, udhëheqësit politikë dhe akterët e zhvillimit mund t’i përdorin për të çuar më tej zbatimin e Rezolutës në zonat e konfliktit dhe pas konfliktit kudo në botë.

Për më shumë, lexoni edicionin e dytë të librit tonë të ri, 1325 Fakte & Fabula: Një Përmbledhje Tregimesh rreth zbatimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë nga viti 2000 deri në vitin 2020. #WPSRKS2022